Presidenti i shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i vazhdoi sulmet ndaj homologut të tij ukrainas edhe pas debatit të paprecedentë në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Duke folur për mediat amerikane teksa largohej nga Washingtoni, Trump tha se Zelenskynuk e do paqen dhe nuk është gati që të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi.
“Unë do të thosha se nuk funksionoi mirë dhe mendoj se ai e teproi. Ky është një njeri që dëshiron të na bëjë të regjistrohemi dhe të vazhdojmë të luftojmë, por ne nuk do ta bëjmë këtë. Ai nuk donte të bënte për armëpushim dhe një armëpushim mund të bëhej menjëherë. Ai duhet të thotë, ‘Unë dua të bëj paqe’. Ai nuk duhet të qëndrojë atje dhe të thotë për Putinin të gjitha gjërat negative. Ai duhet të thotë, ‘Unë dua të bëj paqe”, u shpreh Trump.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për rrjetin amerikan Fox News menjëherë pas takimit me Trump u përpoq të qetësonte klimën e tensionit dhe të ulte tonin e tij ndaj qeverisë amerikane, ndërsa theksoi se ajo që ndodhi në Zyrën Ovale nuk ishte një gjë e mirë.
“Unë e respektoj presidentin dhe respektoj popullin amerikan. Mendoj se duhet të jemi shumë të hapur dhe shumë të sinqertë. Ne jemi gati për paqe. Por ne duhet të jemi në pozitë të fortë. Çfarë do të thotë? Ne duam të dimë se partnerët tanë janë me ne dhe se kemi garanci sigurie”, tha Zelensky.
Pyetjes së gazetarit se marrëdhënia mes tij dhe presidenti Trump mund të “shpëtohej” pas debatit të zhvilluar në prani të mediave botërore, Zelensky u përgjigj.
“Po, sigurisht! Sepse janë më shumë marrëdhënie sesa me presidentin. Ato janë marrëdhëniet historike, marrëdhëniet e forta mes popullit tonë.”
Më herët Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu bashkua thirrjeve të administratës që Zelensky të kërkonte falje. Ai tha se udhëheqësi ukrainas e shndërroi takimin në Shtëpinë e Bardhë në një “fiasko”.
Tv Klan