Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për Fox News pas diskutimeve që pati me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, tha se falenderon SHBA dhe amerikanët për mbështetjen e tyre.

Ai deklaroi se nuk e ndjen se i detyrohet Donald Trump një falje pasi nuk bëri asgjë të keqe.

Pjesë nga intervista:

Bret Baier: Zoti President a i detyroheni Trump një kërkesë faljeje?

Volodymyr Zelensky: Jo. Unë e respektoj presidentin dhe respektoj popullin amerikan. Mendoj se duhet të jemi shumë të hapur dhe shumë të sinqertë, dhe nuk jam i sigurt se kemi bërë diçka të keqe.

I pyetur nëse i vinte keq për takimin, Zelensky u shpreh.

“Po, mendoj se nuk ishte mirë. Mendoj se nuk ishte mirë”, tha më tej Zelensky.

Prezantuesi i Fox News, Bret Baier, e pyeti Zelenskyn nëse marrëdhënia mes tij dhe Trump mund të shpëtohej pas debatit mes tyre.

“Po, sigurisht që marrëdhëniet mund të përmirësohen. Marrëdhënia jonë ka të bëjë më shumë sesa thjesht dhe vetem me presidentin”, shtoi presidenti Zelensky.

Në lidhje me mënyrën se si Ukraina i sheh lëvizjet e armëpushimit, Zelensky theksoi se pa garanci nuk mund të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

“Pra, ne jemi gati për paqe. Por ne duhet të jemi në pozitë të fortë. Çfarë do të thotë? Vetëm të dimë se ushtria jonë është e fortë, se partnerët tanë janë me ne dhe se kemi garanci sigurie”, tha Zelensky.

Zelensky gjithashtu përsëriti se do të ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen si president për sa kohë që Ukrainës i jepet anëtarësimi në NATO.

Klan News