Gjatë takimit të shumëpërfolur me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Volodymyr Zelensky, jo vetëm që u gjend në shënjestër të presionit të presidentit amerikan dhe J.D. Vance, por ai u sulmua indirekt edhe për zgjedhjet e tij të veshjeve.
Gazetari Brian Glenn ishte në mesin e gazetarëve të ftuar në takimin që u mbajt në Shtëpinë e Bardhë, që megjithëse filloi mjaft qetë u përshkallëzua në një debat të ashpër.
Glenn me sa duket nuk e ka marrë me dashamirësi vendimin e Zelenskyt për t’u paraqitur në Shtëpinë e Bardhë me veshje joformale dhe këtë pakënaqësi e ka shprehur përmes pyetjes që i bëri presidentit ukrainas teksa ai ishte ulur pranë Trump.
“Pse nuk ke veshur kostum? Ju qëndroni përpara zyrës më të lartë në këtë vend dhe refuzoni të vishni një kostum?”, e pyeti Brian Glenn Zelenskyn, duke shtuar se shumë amerikanë e kanë problem me faktin se Zelensky duket nuk e respekton zyrën e presidentit.
Pyetja e gazetarit shkaktoi të qeshura nga zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance, i cili ishte ulur pikërisht përballë tij.
“Unë do të vesh një kostum kur kjo luftë të përfundojë” tha Zelensky.
Pyetja e Glenn-it drejtuar Zelenskyt mori shumë kritika në rrjetet sociale, pasi nga disa u konsiderua si fyese për presidentin ukrainas.
Glenn, me mbi 20 vjet përvojë në fushën e medias, është korrespondenti kryesor i Shtëpisë së Bardhë për rrjetin Real America’s Voice dhe vitet e fundit është bërë një nga gazetarët e preferuar të Trump.
Klan News