Trofeu i Euro 2024 mbërriti në stadiumin olimpik të Berlinit si pjesë e turit që nisi në Shtutgart një muaj më parë.

Trofeu do të kalojë dy ditë në Berlin përpara se të vazhdojë udhëtimin e tij nëpër Gjermani. Turi i kupës do të përfundojë në Mynih më 14 Maj, saktësisht një muaj para ndeshjes hapëse të Euro 2024, në të cilën Gjermania do të përballet me Skocinë.

“Mendoj se të gjithë tani presin me padurim që më në fund të fillojë”, thotë Boateng, ambasador i Berlinit Euro 2024.

“Do të fokusohemi në të gjitha rreziqet e mundshme, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe terroriste. Sigurisht, ka rreziqe dhe ne duhet t’i njohim ato”, u shpreh ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.

Euro 2024 pritet të tërheqë 2.7 milionë tifozë në stadiume dhe deri në 12 milionë në pjesën tjetër të qyteteve ku do të zhvillohen ndeshjet.

Finalja e Euro 2024 do të luhet në Berlin më 14 Korrik. Në Shqipëri të 51 ndeshjet do të transmetohen në Tv Klan pa pagesë.

Tv Klan