Kryeministri Edi Rama ka pranuar rritjen e pakuptimtë të çmimeve të hoteleve dhe restoranteve në krahasim me një vit më parë, në bregdetin e jugut të Shqipërisë.
Në një takim me kryebashkiakët e vendit, Rama përmendi Vlorën dhe Sarandën si dy rajonet ku rritjet e çmimeve në sezonin turistik janë të ndjeshme.
Ai ka kërkuar nga kryebashkiakët e këtyre dy qyteteve që të bisedojnë me operatorët turistikë dhe t’u shpjegojnë pasojat e kësaj strategjike të gabuar, siç e quajti shefi i qeverisë, që do të çojë në vetëvrasje të biznesit.
Rama përmendi Vlorën si rajonin më abuzues më rritjen e çmimeve, dhe u bëri thirrje bizneseve që të reflektojnë.
“Të gjitha këto është e nevojshme të merren në konsideratë për diçka tjetër, qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet. Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Nuk vendosin dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i imponojnë dot.
Por aman në Vlorë, në Sarandë, ku janë dhe dy pikat e një rritje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve, dhe t’ju thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të komunikohet dhe të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë në pjesë të caktuara, por kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura. Është e rëndësishme të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush nuk mund t’ja u imponojnë. Por ama është dhe çështje dijeje.
Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, stabël. Dhe natyrisht, vlonjatët janë molla e këtij sherri. Dihet ajo punë. Sepse tani Vlora është bërë kaq e kërkuar, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe është bërë një gropë ku do bien vetë këta që ngrenë ato çmime në atë far feje.
Është e padrejtë edhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde në këtë moment të fillojë të belbëzohet. E ka bërë Bullgaria këtë sport vite më parë dhe e ka paguar vite të tëra nuk kthehej më aty ku ishte. Se më mirë syri se sa nami. Vlonjatëve ju ka dalë edhe syri, edhe nami, ju kanë dalë dhe trutë nga vendi atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë, kështu që është mirë ta kuptojnë, do zbresin pak me këmbë në tokë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al