Presidenti francez: Të rihapet dialogu
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Turqisë që të rihapë një dialog të përgjegjshëm në lidhje me tensionet në Mesdheun Lindor.
“I dërgojmë një mesazh të qartë Turqisë: Le të rihapim dialogun me përgjegjësi, me besimin e mirë dhe pa naivitet. Kjo thirrje po bëhet tashmë edhe në Parlamentin Europian. Le të lëvizim përpara”, shkruante Macron në Twitter në gjuhën turke.
Mirëpo Turqia vetëm një ditë më parë e akuzoi Macron-in se po i hidhet benzinë zjarrit në Mesdheun lindor duke e bërë ë të vështirë zgjidhjen e problemeve.
Në një intervistë për mediat britanike, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se presidenti francez po përpiqet që të marrë rolin e Napoleonit, por Macron nuk është i fuqishëm për ta bërë këtë. Akar shtoi se ai po mundohet të ketë rol në Mesdheun lindor për t’u larguar nga problemet e brendshme që ka në Francë.
Ai theksoi se Turqia do t’i mbrojë interesat dhe të drejtat e saj duke shtuar se ka 2 mijë kilometra vijë bregdetare në Mesdheun lindor. Agjencia Anadolu ka shkruar këtë të shtunë se Akar ka deklaruar ndër të tjera se Bashkimi Europian nuk ka autoritet për të ndryshuar rregullat apo për të vendosur kufijtë në Mesdhe.
Turqia dhe Greqia janë përfshirë nga tensione të larta pasi Ankaraja vendosi të dërgonte një anije sondë për të zbuluar gaz dhe naftë në Mesdheun lindor, zonë që e pretendojnë të dyja shtetet. /tvklan.al