Turqia shndërron një tjetër muze të Stambollit në xhami. Bëhet fjalë për Kishën Ortodokse Bizantine të ‘Shpëtimtarit të Shenjtë’ në Chora.
Vendimi për ta shndërruar Muzeun Chora në një xhami erdhi vetëm një muaj pas një shndërrimi po aq të diskutueshëm për Agia Sofia të njohur nga trashëgimia botërore e UNESCO-s. Dekreti i Presidentit turk, për këtë çështje u botua në gazetën zyrtare të Turqisë të Premten.
“Shpëtimtari i Shenjtë në Chora” ishte një kishë bizantine mesjetare e zbukuruar me afresket e Gjykimit të Fundit të shekullit të 14-të, të cilat mbeten të çmuara në botën e krishterë. Fillimisht u shndërrua në Xhaminë e Kariye gjysmë shekulli pas pushtimit të 1453 të Kostandinopojës nga turqit osmanë.
Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u bë Muzeu i Kariye, pasi Turqia eci përpara duke krijuar e një republike të re më laike. Ajo është e mbuluar me disa nga mozaikët dhe afresket më të mira bizantine.
Por Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka urdhëruar që kisha e lashtë, e cila prej dekadash njihet si një ndër muzetë më popullor të Stambollit të kthehet përsëri në një vend të adhurimit mysliman.
Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme greke. Vendimi autoriteteve turke për të kthyer përsëri Kishën Ortodokse Bizantine të Shpëtimtarit të Shenjtë në Chora në një xhami është “plotësisht e dënueshme” dhe se ky është një tjetër “provokim”.
Ndryshimi në statusin e Chora u kalua në Dhjetor 2019, por vendimi i Këshillit Shtetëror të Turqisë nuk ishte zbatuar deri më tani. Ndofta Erdogan donte t’i jepte dy lajme të mira në një ditë popullit turk, pas atij të zbulimit të gazit në Detin e Zi.
Klan Plus