Jo vetëm për bregdetin dhe bukuritë e alpeve, por Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja edhe për trashëgiminë e saj hitorike dhe kulturore.

Është revista spanjolle “La Vanguardia” ajo që i ka kushtuar një reportazh të gjatë qytetit muze të Beratit, prej 2008-ës i shpallur edhe si një vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

“Shtëpi tipike të arkitekturës osmane, fasada të bardha e mijëra dritare që zbresin në dy shpatet e luginës, të japin ndjesinë e një ujëvare harmonike”, shkruan autorja Carmen Giró, duke evidentuar faktin se shumë prej këtyre shtëpive janë ende të banuara dhe shumë të tjera janë shndërruar në hotele të vogla.

“Qyteti dominohet nga kalaja, e vendosur në majë të një kodre, prej nga mund të admironi pamjen panoramike të qytetit dhe të gjithë luginës së lumit Osum”, thuhet në artikull.

Më tej autorja nënvizon faktin se si rrallë herë në vende të tjera “Xhamitë dhe kishat ortodokse plot me afreske byzantine”, bashkëjetojnë në harmoni mes tyre në Berat, “një nga xhevahirët e Shqipërisë dhe padyshim, një nga qytetet më të bukura të vendit”.

Gjithashtu artikulli thekson se në këtë qytet vizitorët mund të admirojnë dhe Muzeun Ikonografik Onufri, të piktorit më të shquar të ikonave në Shqipëri. Po ashtu një nga pikat e fortë evidentohet edhe gastronomia, teksa ftohen vizitorët të shijojnë kuzhinën tipike të zonës me perime dhe mishra të shumtë të përgatitura në mënyrë tradicionale.

Tv Klan