Akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës
Turqia ka miratuar ekstradimin e Dritan Rexhepit në Shqipëri. Kjo u pohua në Gjykatën e Posaçme, gjatë seancës për leximin e pretencës në mungesë ndaj Rexhepit lidhur me zhdukjen e Jan Prengës. Gjatë seancës gjyqësore në GJKKO u tha se aprovimi është dhënë nga Gjykata Turke ndërsa këtë javë pritet miratimi edhe nga ministri turk i Drejtësisë.
Aprovimi i kërkesës për ekstradim vjen 3 muaj pas arrestimit të Rexhepit në Stamboll. Ai u ndalua në 10 nëntor të vitit të shkuar, pasi rezulton një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe jo vetëm. Prangosja e Rexhepit, u bë nga forcat speciale turke në një kompleks vilash në periferi të Stambollit.
Kërkesa për ekstradimin e Rexhepit u dërgua nga Ministria e Drejtësisë dy javë pas arrestimit të tij. Por Dritan Rexhepi kërkohet edhe nga 4 shtete të tjera, siç janë Belgjika, Holanda, Italia dhe së fundmi edhe Ekuadori.
Në dosjen e dërguar në Turqi nga Shqipëria, ishin dy kërkesa një nga SPAK dhe tjetra nga Prokuroria e Përgjithshme.
Rexhepi pasi të mbërrijë në Shqipëri pritet të përballet me drejtësinë për disa ngjarje në vendin tonë. Bëhet fjalë për dënimin e tij me 25 vite burg, pasi ai u shpall fajtor për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keçi dhe Durim Kasmi në vitin 1998. Gjithashtu do të përballet edhe me akuzat e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, proces në të cilin po gjykohet si organizator i ngjarjes.
Rexhepi i cili pritet të mbërrijë së shpejti në Tiranë, është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri, që është arratisur edhe nga burgjet e tre shteteve.
Klan News