Gjykata: Do qëndrojë në arrest shtëpie
Ish-sanitarja e spitalit “Shfeqet Ndroqi”, Tire Alldervishi ka lënë qelinë. Gjykata e Tiranës ka shfuqizuar masën e mëparshme dhe ka vendosur që Alldervishi e arrestuar për korrupsion të qëndrojë në arrest në shtëpi.
Gjykata pranoi kërkesën e palës mbrojtëse të cilët argumentuan se 58-vjeçarja nuk ka rrezik të prishë provat dhe se gjendja e saj shëndetësore është jo e mirë. Në krahun tjetër, prokuroria ka qenë kundër këtij vendimi dhe ka kërkuar zgjatje të afateve të hetimit edhe me 3 muaj.
Ish-sanitarja Tire Alldervishi, u denoncua në emisionin Stop dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere arriti t’i zhvaste vajzës së një paciente të shtruar me Covid dhe që humbi jetën në spital rreth 8 milionë lekë.
Në rrjetën e përgjimeve për këtë çështje ranë edhe 3 infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koci e Sidorela Çela dhe sanitarja Rukije Hoxhaj. Ata u liruan nga gjykata e Apelit nën masën e sigurisë detyrim paraqitje me argumentin që prokuroria duhet të gjente prova dhe fakte bindëse për të provuar se çfarë kanë kryer konkretisht secila prej tyre.
Prokuroria argumentoi se ato kishin krijuar një skemë të mirëfilltë zhvatje në mënyrë që të përfitonin para nga pacientët e sëmurë dhe të afërmit e tyre.
Tv Klan