2 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e asfiksimit nga rrjedhja e gazit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20 në një banesë në Tiranë në rrugën “Marije Kraja”.

Policia njofton se kanë humbur jetën pronari i banesës, 47-vjeçari Altin M. dhe një i afërm i tij i largët, 56-vjeçari Vladimir B.

“Më datë 19.12.2024, rreth orës 17:20, në rrugën “Marije Kraja”, dyshohet se janë asfiksuar nga rrjedhja e gazit, pronari i banesës, shtetasi A.M, rreth 47 vjeç dhe një afërm i tij i largët shtetasi V.B, rreth 56 vjeç, të cilët kanë humbur jetën sipas konfirmimit të stafit mjekësor”, njoftojnë blutë.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se 47-vjeçari Altin M. jetonte në Greqi, por ditët e fundit u kthye në Shqipëri për të bërë disa punime në banesën e tij.

Së bashku me kushëririn e tij, Vladimir B. kanë qenë në gjumë, ndërsa ngrohësia me gaz ka patur rrjedhje, çka ka bërë që të dy të humbin jetën.

Kanë qenë familjarët të cilët kanë njoftuar policinë duke thënë se nuk lidhen dot. Pasi policia ka hapur derën, i ka gjetur të dy të vdekur.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes./tvklan.al