Milani kërkon të hedhë pas krahëve eliminimin e hidhur në Ligën e Kampioneve. Kuqezinjtë synojnë të rikthehen te fitorja dhe në kampionat i pret një ndeshje e vështirë ndaj Torinos.
Këtë përballje, trajneri Sergio Conceicao e konsideroi si finale për Milanin, duke kërkuar reagim nga ekipi i tij.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj një kundërshtari të vështirë. Historikisht ka qenë e vështirë, rezultatet e viteve të fundit nuk kanë qenë pozitive. Duhet të përqendrohemi dhe të punojmë. Ndeshjen ndaj Torinos duhet ta mendojmë sikur është finalja e Champions League për ne.
Skuadrën e kam parë të përqendruar, ndonëse zhgënjimi është i madh. E dinim që ishim më të fortë dhe e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen, por u vendos nga episodet dhe shkoi keq. Futbolli është i thjeshtë, duhet të shënosh një gol më shumë se kundërshtari dhe të përpiqesh të mos pësosh”, tha Conceicao.
Trajneri foli edhe për mbrojtësin Theo Hernandez, të cilin e quajti një pasuri për klubin, pavarësisht momentit.
“Nuk më intereson ngjyra e flokëve të tij. Është një pasuri për klubin. I ka dhënë shumë gëzim tifozëve. Ai e di se me kartonin e kuq na vuri në vështirësi, por kemi biseduar në dhomat e zhveshjes. Ai do të jetë me ekipin, pa asnjë ndëshkim”, deklaroi Conceicao.
Ndeshja Torino-Milan do të luhet të Shtunën, duke nisur nga ora 18:00. /tvklan.al