Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se nuk do të njohë kurrë territoret që Rusia i ka pushtuar Ukrainës që prej 2014-ës. Zelensky foli në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku tha se është gati të diskutojë për një plan paqeje, por mohoi që atij t’i jetë dorëzuar një plan konkret nga zyra e presidentit amerikan Donald Trump.
Presidenti ukrainas tha se vendi i tij ka nevojë për mbrojtje nga NATO në çfarëdolloj forme, me Ukrainën si anëtare ose jo. Ai paralajmëroi aleancën se Moska po përgatitet për të sulmuar një vend të NATO-s përmes territorit të Bjellorusisë, me shumë gjasa vitin tjetër.
Zelensky pritet të takohet kokë më kokë në Mynih, këtë të Premte me zv/presidentin amerikan James David Vance, me të cilin pritet të diskutojë për planin e paqes të propozuar nga Trump. Megjithatë, nuk do të ketë një takim tre-palësh edhe me rusët të cilët kanë refuzuar pjesëmarrjen në konferencë.
Partnerët europianë të Shteteve të Bashkuara janë kundër planit të Trumpit, që nuk përjashton mundësinë që Kievi të bëjë lëshime territoriale dhe po ashtu të heqë dorë nga ambiciet për t’u anëtarësuar në NATO.
Në konferencën e Mynihut marrin pjesë liderë të më shumë se 50 vendeve dhe 150 ministra.
Tv Klan