Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy po përpiqet me të gjitha mjetet për të pozicionuar sa më mirë vendin e tij në negociatat e ardhshme me Rusinë përpara se Donald Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.

Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor ai u takua me homologun francez Emmanuel Macron dhe më pas shefin e NATO-s Mark Rutte.

Deklaratat për shtyp ofruan fjalë të përgjithshme, por Zelensky ka përmendur më parë mundësinë e dislokimit të trupave të huaja paqeruajtëse në Ukrainë. Takimi vjen në një moment vendimtar pasi Ukraina po u kërkon aleatëve të forcojnë mbështetjen si në fushën e betejës ashtu edhe në atë diplomatike përpara çdo negociate të mundshme me Rusinë.

Një vizion më i qartë i Zelenskyt vjen në një intervistë për gazetën “Le Parisien”, ku presidenti ukrainas i bën thirrje si Europës ashtu dhe Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë të japin ndihmë ushtarake.

“Kemi nevojë për një Amerikë të fortë dhe një Europë të fortë për të ushtruar presion mbi Putinin dhe për të ndaluar këtë luftë”, shprehet Zelensky.

Për këtë Volodymyr Zelensky i zgjat dorën presidentit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump. Dhe kur vjen fjala për fundit e luftës, Zelensky tregohet më i ftohtë mbi mundësitë që ekzistojnë.

“Forcat ukrainase nuk janë në gjendje të dëbojnë trupat ruse nga Krimeja dhe Dombasi. Diplomacia është opsioni i vetëm i mbetur për të bindur Moskën të tërheqë ushtrinë e saj. Kievi nuk do ta njohë kurrë sovranitetin rus. Kushtetuta e ndalon këtë. Ne mund të mbështetemi vetëm tek presioni diplomatik i komunitetit ndërkombëtar për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve”, thotë Zelensky.

Më optimist Zelensky është për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, proces për të cilin thotë se është vetëm çështje kohe.

Klan News