Ukraina ka sulmuar bazën ajrore ushtarake ruse Morozovsk në rajonin e Rostovit, duke shkatërruar 6 avionë luftarakë ndërsa 8 të tjerë u dëmtuan në një operacion të përbashkët të kryer nga shërbimi i sigurisë dhe ushtria. Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 53 dronë ukrainas, shumica e tyre mbi rajonin e Rostovit. Baza ajrore Morozovsk u përdor nga bombarduesit taktikë rusë si Sukhoi Su-24 që forcat ajrore të Moskës i përdorin për të hedhur bomba drejt ushtrisë ukrainase dhe qytetet e vijës së parë.

Nga sulmi ka mbetur i dëmtuar një nënstacion elektrik dhe rajoni po përballet me probleme me energjinë elektrike. Sipas imazheve satelitore, në aeroportin ushtarak Morozovsk kishte 29 avionë luftarakë, 26 avionë luftarakë-bombardues Su-34 dhe 3 luftëtarë Su-30/35. Ky nuk është sulmi i parë me dron në këtë aeroport ushtarak rus. Ukraina ka rritur ndjeshëm sulmet e saj me dronë ndaj objektivave në Rusi gjatë javëve të fundit, duke u fokusuar në rafineritë e naftës dhe në baza ushtarake.

Ndërkaq anëtarët e aleancës së NATO-s ranë dakord të ofrojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur Ukrainën nga sulmet me raketa balistike ruse. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s , Jens Stoltenberg aleatët duhet t’a kuptojnë tani se Ukraina është në pikën kritike. 

“Ata duhet të kthehen dhe do të shikojnë inventarët e tyre, do të shikojnë nëse ka ndonjë mënyrë që ata mund të ofrojnë më shumë sisteme, në veçanti Patriots, Pra, disa aleatë premtuan se duhet të bëjnë një përpjekje të re për të gjetur atë që ata munden, për të parë se çfarë mund të japin më shumë.  NATO nuk është palë në konflikt dhe  nuk do të jetë palë në konflikt, por NATO po ofron mbështetje për Ukrainën për t’i ndihmuar ata të mbrohen.”

Vendimi vjen pasi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se do t’i bënte presion NATO-s për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot” për t’u mbrojtur nga sulmet të cilat gjatë javëve të fundit kanë qenë shumë intensive. Kuleba përshëndeti gjithashtu propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s  për një fond prej 100 miliardë eurosh për Ukrainën.

Klan News