Oleksandr Revtiukh qëllon me një goditje të egër në luftëtarin me përvojë përballë tij. Por jo në frontin e luftës, por në një ring boksi, tetë muaj pasi humbi krahun e majtë dhe këmbën e majtë pas shpërthimeve të minave ndërsa luftonte në Ukrainë.
Revtiukh kërkon t’i rikthehet jetës së vjetër. Vetëm dy vjet më parë ai kishte jetë që sipas tij ishte e rehatshme si si teknik elektronik jashtë vendit, përpara se të kthehej në Ukrainë për t’u regjistruar dhe për të luftuar agresionin rus.
Lufta i ka lënë trauma. Tani ai duhet të pranojë atë që i ka ndodhur dhe të mësojë të jetojë pa gjymtyrët e tij.
“Kam zbuluar një recetë që mesa duket edhe me mua po funksionon: Lerë të vdesë koha e shkuar, duhet të rilindim tani. Kjo do të thotë, se përtej kësaj do ta njihni botën nga e para. Mos kini frikë të bëni gabime ka një rrugë përmes gjembave drejt yjeve. Kjo është motoja ime.”
Revtiukh, i cili ka një këmbë protezë, është një nga dhjetëra mijëra ushtarët e plagosur luftarakë që duhet të përshtaten me një jetë të re si civilë ose të kthehen në ushtri.
Për sa i përket asaj që vjen më pas, ai duhet të bëjë rrugën e tij, në një vend ku shumë ushtarë të gjymtuar thonë se kufizimet buxhetore, tabutë sociale dhe mungesa e mundësive për punë po e bëjnë tranzicionin më të vështirë.
“Askush nuk ishte gati as për luftë. Por është shumë e vështirë, e dini. Kur arrin në spitalin qendror, ose hyn në dyqan mund të hysh dhe të dalësh nga dyqani vetëm me ndihmën e njerëzve të tjerë, e kështu është edhe në spitalin qendror. Të them të drejtën, jam i lumtur që kam ende anën time të fortë, krahun e djathtë dhe këmbën e djathtë. Nuk kam pësuar asnjë lëndim në kokë, e gjithë shtylla kurrizore është praktikisht e shëndetshme. Në fakt, protezat mund të më kthejnë siç isha. Nëse ky është çmimi që kam paguar për të ardhmen tonë, nuk shoh ndonjë problem me këtë.”
Tanimë Oleksandër përpiqet të rikthehet siç ishte edhe pse është tepër e vështirë.
“Sporti dhe mbështetja. Këtyre duhet t’i besosh më shumë sesa në vetes, këto të frymëzojnë. Zgjohesh në mëngjes dhe kupton që një ditë më parë nëna për ty ka qarë dhe ndjen frikë, por guximi dhe vullneti mund të më rikthejnë edhe njëherë siç isha për të gëzuar familjen time.”
Revtiukh është afër familjes së tij dhe së fundmi ka vizituar shtëpinë e prindërve të tij në Nizhyn, në verilindje të Kievit. Duke pritur jashtë, gjyshja e tij qau ndërsa përqafoi Revtiukh, të cilin nuk e kishte parë që kur humbi krahun dhe këmbën e tij në dy shpërthime të veçanta të minave.
Shifrat zyrtare të ushtarëve të plagosur në luftë nuk publikohen dhe konsiderohen të ndjeshme nga ushtria, por ndërsa agresioni zvarritet në vitin e tij të tretë pa një fund në horizont shifrat vetëm do të rriten.
Ministria e Çështjeve të Veteranëve të Ukrainës, e cila mbikëqyr ushtarët e plagosur, nuk pranoi të jepte të dhëna zyrtare për numrin e ushtarëve që kishin humbur gjymtyrët. Ajo nuk iu përgjigj kritikave të tilla se nuk po bënte mjaftueshëm për të mbështetur ata teksa po i nënshtrohen rehabilitimit.
Të njëjtin fat ka edhe komandanti ukrainas Odin që humbi këmbën e tij gjatë një shpërthimi mine vitin e kaluar. Tani ai është kthyer në llogore.
“Sigurisht, kam frikë, shumë. Kam shumë frikë të shkel në një minë përsëri. Ka raste kur vjen deri në një pikë ku është e vështirë për mua edhe të lëviz. Duhet të punoj për këtë. Nëse unë punoj për këtë, nëse dal përsëri në pozicione, atëherë, përshtatem psikologjikisht, riprogramoj veten, duke e kuptuar se po, duhet të jem më i kujdesshëm tani, veçanërisht kur hedh hapa në territor të panjohur.”
Ushtria e varfër e Ukrainës ka nevojë për ndihmë. Ajo po largohet nga armiku i saj shumë më i madh dhe më i fuqishëm rreth qytetit lindor të Avdiivka-s, ndërkohë që është nën presion në rritje në seksione të tjera të frontit.
Mango, një 28-vjeçar, pa dorën e tij të copëtuar nga dy vjet më parë gjatë luftimeve në Mariupol përpara se të kapej nga rusët. Edhe ai është rikthyer në front, si shef i logjistikës për një batalion në Brigadën Azov, i cili qëndroi për muaj të tërë në mbrojtje të qytetit jugor.
“Kur bëra operacionin tim, më vendosën në një dyshek dhe mund të shihja se si i operonin pacientët e tjerë. Mjekët tanë që punonin në Azovstal meritojnë lavdet më të mëdha ata i kanë duar të arta. Kur të marr një protezë të mirë, do të jem në gjendje ta karikoj armën time siç duhet. Do të jem në gjendje ta mbaj në dorë.”
Si Odin ashtu edhe Mango që ishin në ushtri përpara agresionit rus -shprehën një ndjenjë përgjegjësie për ushtarët që kishin lënë pas në llogore. Odin kishte pak hezitim për t’u kërkuar eprorëve leje për t’u rikthyer në luftime pasi i ishte nënshtruar një operacioni dhe rehabilitimi me një gjymtyrë protetike.
“I duhet shpjeguar edhe veteranëve që u plagosën se nuk është diçka tragjike, nuk është diçka që nuk lejohet t’u tregohet njerëzve. Ka shumë faktorë psikologjikë të përfshirë, që duhet ta mbuloni, jo ta tregoni. Kjo do të thotë, njerëzit e perceptojnë atë si një dobësi, por nuk është një dobësi.”
Mango shprehet se duhej t’i kërkonte komandantit të tij që të dorëzonte një raport tek autoritetet që konfirmonte se ishte i përshtatshëm për të në njësi.
“Më është dashur të luftoj me komisionin mjekësor ushtarak. Në fund të fundit, ata e nënshkruan lejen. Më futën në grupin e aftësisë së kufizuar sepse kam një dorë. Por ata firmosën që jam në gjendje të shërbej. Me aftësi të kufizuara, kështu u ktheva në ushtri. Tek kontrolli mjekësor, ishte një kirurg që më pyeti nëse nuk e kisha rishqyrtuar vendimin tim dhe çdo herë i thosha jo.”
Fushat e betejave janë të mbushura me mina, ndërsa sulmet me artileri dhe dron janë një kërcënim i vazhdueshëm.
Ushtarët thonë se janë më të shumtë në numër përgjatë vijës së frontit 1000 km në lindje dhe jug të Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelenskiy nënshkroi një projekt-ligj këtë muaj për uljen e moshës së rekrutimit nga 27 në 25 vjeç, ndërsa një projekt-ligj mobilizimi që synon hartimin e qindra mijëra trupave të tjera është miratuar së fundmi në parlament.
Për shumë ushtarë të largohesh nga ushtria do të thotë të negociosh dhe të përballesh me një sërë sfidash të reja, nga lëvizja nëpër një qytet apo apartament deri te gjetja e një pune, si dhe ballafaqimi me civilët që nuk dinë gjithmonë si të veprojnë kur bien në kontakt me personat e plagosur.
Qeveria ofron proteza me cilësi të lartë për ata që humbin gjymtyrët në luftime, si dhe trajtim rehabilitues. Të plagosurit e luftës marrin gjithashtu pagesa që ndryshojnë sipas lëndimeve. Por ka disa raste që vetë ushtatrët mund të mbledhin fonde privatisht ose nëpërmjet organizatave bamirëse për të gjetur proteza, qoftë për këmbët apo duart. Një protezë e gjymtyrëve të poshtme mund të kushtojë nga 500 dollarë deri në 70,000 dollarë për pajisje më të sofistikuara.
Ottobock i Gjermanisë prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve protetike dhe shiti afërsisht dy herë më shumë proteza të këmbëve në gjysmën e dytë të 2022 se gjithë vitin 2021.
Ndërsa shumë ushtarë që kërkojnë mbështetje psikologjike kthehen në betejë pas pushimeve të shkurtra, disa prej tyre me raste më të rënda dërgohen për trajtim të mëtejshëm në pikat e rehabilitimit larg frontit.
Shumë prej tyre flasin për rraskapitje, stres, ankth, frikë dhe faj, por edhe për shoqëri, ndjenjë detyrimi për t’u rikthyer me shpejtësi në repartet ku shërbenin dhe motivim të fortë për të zmbrapsur armikun.
Ekspertët thonë se Ukraina do të ketë nevojë për investime të mëdha në infrastrukturë dhe staf për t’u marrë me personat e plagosur që kanë nevojë për ndihmë për vitet në vijim.
Klan News