Për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Sajed Hasan Nasrallah, ushtria izraelite gjatë sulmit ajror të së premtes mësohet se lëshoi mbi 80 raketa mbi bunkerin ku ai strehohej në Bejrut.
Gjashtë ndërtesa u shkatërruan duke lënë të paktën 11 të vdekur dhe mbi 90 të plagosur, duke e çuar në mbi 1 mijë numrin e viktimave që nga nisja e konfliktit.
Nasrallah drejtonte Hezbollahun prej 3 dekadash dhe kishte vite që nuk shfaqej në publik nga frika e një vrasjeje të mundshme.
Por Tel Avivi nuk u ndal me kaq. Sulmi izraelit në Liban vijoi edhe këtë të shtunë duke goditur 140 objektiva të Hezbollahut. Ushtria izraelite njoftoi se te vrarë mbetën edhe komandanti i njësisë raketore të Hezbollahut, Muhammad Ali Ismail dhe shefi i njësisë se inteligjencës, Hassan Khalil Yassin.
Edhe Libani u kundërpërgjigj duke lëshuar disa 90 raketa, por pa shkaktuar dëme. Sakaq, për shkak të rritjes së tensioneve dhe zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme solli reagimin e menjëhershëm të ndërkombëtarëve.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Xho Bajden me anë të një deklarate tha se vrasja e Nasrallahut ishte një formë drejtësie. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se nën drejtimin e tij, Hezbollahu ka qenë përgjegjës për vdekjen e mijëra amerikanëve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov në fjalimin e tij në OKB u shpreh se pas këtij sulmi, Lindja e Mesme është në prag të një lufte të madhe, te cilën disa persona po e dëshirojnë atë. Thirrje për armëpushim të plotë dhe gjithëpërfshirës lëshoi edhe Kina.
Irani reagoi ashpër për këtë sulm, duke shpallur 5 ditë zie. Mijëra vetë dolën në shesh duke kërkuar hakmarrje. Teherani paralajmëroi dërgimin e trupave ushtarake në Liban, ashtu siç bënë në vitin 1981.
Irani ka marrë masat duke e fshehur dhe strehuar në një vend të sigurt liderin suprem iranian Ali Khamenei.
Tv Klan