Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë parakaluar të dielën në një paradë ceremoniale nëpër qytetin veriperëndimor boshnjak, Prijedor, më sa duket pa pëlqimin paraprak të shtetit të Bosnje e Hercegovinës, raportoi Radio dhe Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), entitetit serb të Bosnjes.
Sipas RTRS-së, ata që parakaluan ishin kadetë dhe veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd.
Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviç, tha se Presidenca nuk e miratoi hyrjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë territorin e vendit.
Ai theksoi gjithashtu se as plani i bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Bosnje e Hercegovinës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë nuk ka paraparë asnjë aktivitet i tillë.
Beqiroviç shtoi se institucionet kompetente shtetërore të BeH, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes, duhet sa më parë të vërtetojnë të gjitha rrethanat dhe faktet në lidhje me këtë ngjarje.
Ai tha se ka caktuar një takim për 8 korrik me përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Më herët, Zheljko Komshiç, zyrtar i Presidencës së BeH reagoi në Facebook duke thënë se “duhet të mësohet menjëherë se kush e ka lejuar ushtrinë serbe të hyjë në territorin e shtetit të Bosnje e Hercegovinës”.
“Presidenca e BeH nuk e bëri këtë. A e bëri Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të mësohet menjëherë. Nëse nuk ishte as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni,” tha Komshiç, i cili është përgjegjës për politikë të jashtme dhe siguri.
Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, dhe zëvendësi i tij, Aleksandar Goganoviç, nuk iu përgjigjën thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për koment.
Më 31 maj të vitit 1992, autoritetet serbe të Bosnje e Hercegovinës në Prijedor lëshuan një urdhër, përmes radios lokale, për popullatën joserbe që t’i shënojnë shtëpitë e tyre me flamuj ose çarçafë të bardhë dhe të vendosin shirita të bardhë rreth mëngëve kur të dalin nga shtëpia.
Pas kësaj, më shumë se 3.000 civilë u vranë. Më shumë se 32.000 joserbë nga Prijedori u mbajtën ilegalisht në rreth 60 kampe përqendrimi, përfshirë në Omarska, Keraterm dhe Manjaça.
Në atë qytet në veri të Bosnjës, në zonën e ish-minierës së Tomashicës, u gjet varri më i madh masiv që nga Lufta e Dytë Botërore.
Autoritetet e qytetit në Prijedor, në entitetin serb të Bosnjes që qeveriset nga Republika Sërpska, nuk lejojnë asnjë memorial në kujtim të qytetarëve të vrarë të Prijedorit.
Më 7 korrik, ushtria serbe parakaloi nëpër Prijedor si pjesë e përkujtimit të Betejës së Kozarës të vitit 1942 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Parada dhe përkujtimi u organizuan nga qeveria e Republikës Sërpska.
Në paradë morën pjesë edhe zyrtarë të Republikës Sërpska dhe të Serbisë.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, shfrytëzoi këtë ngjarje për ta shtyrë përpara përsëri synimin e tij për shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja “nëse Sarajeva, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, përpiqet t’ia marrë pronën e saj”.
Ndër të tjera, ai përsëriti se Republika Sërpska nuk do të lejojë që Bosnja e Hercegovina t’i bashkohet NATO-s./REL