Alepo, qyteti sirian i shkatërruar nga lufta, u vendos nën kontrollin e ushtrisë siriane, duke shënuar fitoren më të madhe të kësaj ushtrie në afro gjashtë vjet luftë civile.
Qeveria e presidentit Bashar al-Assad ka tani për herë të parë që nga viti 2012 kontroll të plotë mbi Alepon, qyteti me popullsinë më të madhe para luftës.
Forcat kryengritëse ranë dakord të tërhiqen nga qyteti, pas një ofensive të ushtrisë që i nxorri ata jashtë 90 për qind të territorit fillestar.
Njoftimi erdhi disa orë pasi autokolona e fundit e banorëve u largua nga qyteti, grupi i fundit në përpjekjen njëjavore të evakuimit.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se deri të enjten rreth 34,000 vetë kishin dalë nga Alepo lindore, që kryengritësit e kishin mbajtur nën kontroll për katër vjet në një përpjekje për ta rrëzuar Assadin nga pushteti./VOA