Presidenti Bajram Begaj u ka shprehur ngushëllime familjarëve që humbën të afërmit e tyre në tragjedinë në Koçan. Begaj lutet për të lënduarit që të gjejnë shërim të shpejtë dhe shprehet se lajmi për tragjedinë është tronditës.

“I tronditur nga tragjedia e ndodhur, nga humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve nga zjarri i rënë në një diskotekë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, shkruan Begaj.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetarja e kuvendit, Elisa Spiropali.

“Pikëllues lajmi mbi tragjedinë e tmerrshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën disa dhjetra vajza e djem. Në këtë të dielë të trishtuar, jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Forcë e kurajë popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe”, shkruan Spiropali.

Sipas informacioneve nga mediat, të paktën 51 persona kanë humbur jetën ndërsa mbi 100 të tjerë janë lënduar si pasojë e zjarrit që ra në një diskotekë në Koçan./tvklan.al