Në 21 mars 2023 emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi problemin e zonjës Varvara Kapurani, një 77-vjeçare nga Elbasani, e cila pas vdekjes së të shoqit dhe pas 55 viteve martesë, ka mbetur në mes të katër rrugëve. Ajo thotë se kur qante të shoqin, njëra nga tre vajzat e saj i mori letrat e shtëpisë duke arritur t’i marrë pronën e ta nxjerrë jashtë.
Gjithcka nisi pasi një ditë çifti i të moshuarve u paraqit në zyrën e noteres Ilda Peza për t’i dhënë adresën sikur e bija banonte në shtëpinë e tyre, në mënyrë që vajza të merrte kemp për të birin e sëmurë.
Pas vdekjes së të shoqit Tili Kapurani, Varvara shkoi tek e bija në Greqi, ku mësoi se kishte mbetur pa shtëpi të cilën ia kishte zaptuar vajza, Drita. E moshuara e denoncoi në polici ku mësoi se vajza kishte një akt dhurimi nga ajo vetë dhe bashkëshorti i ndjerë. Por Varvara tha se nuk di as të shkruajë e as të lexojë. Në këto kushte, gjykata vendosi që të bllokohet shtëpia, por vajza zaptuese ishte futur brenda.
Në 29 maj “Stop” arriti të fusë nënë Varvarën në shtëpinë e saj dhe në këtë moment ishin prezentë përmbaruesi Ilia Elezi, njësia e bashkisë dhe Policia e Elbasanit për të parandaluar çdo konflikt.
Por pas një viti e moshuara është nxjerrë sërish jashtë nga e bija me vetëgjyqësi. Vajza e Varvarës ka shqyer portën, ka ndërruar bravën dhe e ka lënë të ëmën jashtë. Në këtë situatë, gazetarja flet me shefin e komisariatit Elbasan, që sjell në shtëpinë e zonjës OPGJ-në Edison Tabakun bashkë me të cilin vijnë edhe punonjës të njësisë administrative dhe të Shërbimit Social për të bindur Drita Topuzin të hapë derën.
Gazetarja: Kërkoj mbështetjen e policisë për të futur një të moshuar në banesën e vet. A mund ta zgjidhim?
Roven Zeka: Pa merak fare! S’bëhet fjalë ajo!
Pas shumë përpjekjeve Drita i jep Varvarës kopje të çelësave në mënyrë që të hyjnë e të dalin të dyja, sic ka vendosur gjykata./tvklan.al