Zakonisht Stefi Priftin jemi mësuar ta shohim kudo me vëllain, Endrin, në pjesën më të madhe të projekteve muzikore. Dyshja e tyre funksionon në mënyrë fantastike, por kënga e fundit e Stefit është vetëm dhe ka rezultuar një mrekulli.

“Kristal” ka kthyer poezinë me të njëjtën titull të Ismail Kadaresë në një baladë të ndjerë e të fuqishme. Një këngë që siç Stefi tregon në programin “Rudina” në Tv Klan, ka mbi 30 vite në sirtar.

Stefi Prifti: Kjo këngë ka një histori shumë të gjatë. Ndoshta ju do të çuditeni, do të çuditen edhe njerëzit që na dëgjojnë, por është shkruar kur unë kam qenë student.

Rudina Magjistari: Kompozuar e ke fjalën?                                   

Stefi Prifti: Kompozuar nga unë kur kam qenë student, i bie mbi 30 vjet, 32-33 vjet.

Duke u thelluar në detaje, Stefi tregon se kompozimi ishte gati, por priste vetëm tekstin që do t’i përshtatej. Bashkëshortja e ndjerë dhe miqtë e saj qëlluan në shenjë duke i sugjeruar poezinë e Kadaresë.

E dashura ime e asaj kohe dhe më pas gruaja ime, Marina së bashku me shoqen e saj, Gentën dhe të dashurin e vet, Sajmirin se për herë të parë po i përmend, kështu është historia, ata janë dëshmitarë, i thërras një moment për të bërë tekstin e muzikës sime. Ata ishin studentë të shkëlqyer të Gjuhë-Letërsisë. Ime shoqe ishte shumë e pasionuar pas letrave të Kadaresë, ka bërë edhe një studim para se  të ndërronte jetë dhe është vlerësuar me pikët maksimale  nga rektorati në universitet. I thërras dhe u them dua tekstin e kësaj kënge, njëkohësisht edhe të një kënge tjetër, ‘U dogja mrekullisht’, që ta shkruani ju se ishin studentë shumë të talentuar të Letërsisë. Pas disa ditësh vijnë e më thonë që ‘këtë melodi  që ke shkruar ti nuk e kemi penën kaq të fortë sa ndiejmë nga fuqia e muzikës, por të sugjerojmë poezinë ‘Kristal‘ të Ismail Kadaresë’. Ajo i qëndronte aq bukur, sikur të ishte e shkruar për këtë melodi  ose melodia të ishte e shkruar për ato vargje”, rrëfeu Stefi./tvklan.al