Shumat financiare të padeklaruara në dogana, kryesisht në valutë të huaj, janë dyfishuar në vitin që lamë pas. Raporti i doganave shqiptare zbulon se janë detektuar 73 raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi (44 raste në hyrje dhe 29 raste në dalje) duke pasur një rritje të kapjeve krahasuar me 37 raste të vitit 2022 (28 raste në hyrje dhe 9 raste në dalje).
Degët doganore ku janë evidentuar rastet më të shpeshta janë Rinasi, Durrësi, Kakavija, Morina. Referuar shifrave të deklaruara në dogana sa i takon valutës së sekuestruar rezulton se ka një rritje me të paktën 55.7% në monedhën Euro, ndërkohë që risi për vitin 2023 kanë qenë dhe tentativat e shtuara për të kaluar ilegalisht dollar dhe franga zvicerane.
Ndërkohë në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në sistemin doganor, gjatë vitit 2023 janë dërguar 19 raste pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare për hetim të mëtejshëm dhe janë shënjestruar 794 shtetas me qëllim kontrollin dhe parandalimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Nga viti 2018, ligji shqiptar parashikon se të gjithë personat që hyjnë ose dalin nga territori i Shqipërisë janë të detyruar të deklarojnë në doganat në kufi shumën mbi 10 mijë Euro ose vlerën e njëjtë te saj në monedha të tjera.
Tv Klan