MSA me BE-në në fuqi prej 1 prillit të 2009 dikton një sërë të drejtash dhe detyrimesh kryesisht në sferën ekonomike.

Këshilltari i kryeministrit për ekonominë Selami Xhepa, thekson se MSA do të thotë liberalizim i plotë tregtisë së mallrave, tregut të punës dhe kapitalit. Sipas tij falë zbatimit të kësaj marrëveshje, brenda një periudhe 10 vjeçare, ekonomia shqiptare do të integrohet plotësisht në zonën e lirë ekonomike evropiane.

Selami Xhepa: “Marrëveshja ka dimensionin thelbësor të saj në planin ekonomik një dinamikë 10 vjeçare. Ekonomia shqiptare duhet që të përgatitet që tu bajt ballë presioneve konkurruese të një tregu tërësisht të liberalizuar dhe të një tregu që do të veprojë me standarde të vendeve anëtare të BE-së.”

MSA-ja do të thotë edhe unifikimi i standardeve për tregtinë e mallrave, në një kohë kur tarifa doganore me BE-në më të cilin kryejmë rreth 70% të shkëmbimeve tregtare, janë pothuajse zeruar prej 2 vjetësh.

Selami Xhepa: “Nënkupton si të thuash shance dhe po njëkohësisht edhe rreziqe konkrete për komunitetin e biznesit. Do të thotë pra që biznesi duhet të nënkuptojë që në një perspektivë 5 vjeçare , 10 vjeçare kostot e operimit të biznesit natyrisht që do të rriten dhe këto lidhen me adoptimin e këtyre standardeve të përparua që kanë kërkesat e tregut Europian.”

Marrëveshja do të ketë impakte dhe në tregun e punës.

Selami Xhepa: “Në këtë periudhë tranzitore 10 vjeçare, ku lëvizja e lirë e qytetarëve do të garantohet. Kjo do të thotë që ato qytetar shqiptarë që do të shkojnë në tregjet evropiane do kenë mundësinë të integrohen në tregun evropian të punës do të gëzojnë të njëjtat statuse, të njëjtat standarde siç gëzon çdo qytetar Europian. Do të ketë të drejta pra të marrë pjesë në skemat e mbrojtjes shoqërore, në sigurimet shoqërore suplementare, në çfarëdolloj skeme të mbrojtjes shoqërore.”

MSA-ja i hap rrugë edhe liberalizimit të tregut të kapitalit në Shqipëri, nëpërmjet zhvillimit të bursave dhe tregjeve financiare, duke adoptuar standardet më të mira Europiane./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro