Pas mbledhjes së qeverisë kryeministri Edi Rama doli para gazetarëve dhe ndër të tjera foli në lidhje me tragjedinë e 14-vjeçarit në Tiranë, i cili u vra nga dora e bashkëmoshatarit të tij, pranë shkollës ku mësonin.

Kjo tragjedi për Ramën është shumë e madhe dhe nuk duhet futur në atë që ai e konsideron si “perimetrin e ngushtë të sherrit të një pseudoelite dhe mediatike”. Sipas tij, ato devijojnë çdo fatkeqësi për interesa të veta duke luajtur me ndjenjat dhe problemet e popullit.

Vdekja e të miturit, për kryeministrin, duhet të shërbejë për t’i bashkuar të gjithë, si prindërit dhe qytetarët, që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve.

“Tragjedia e nxënësit 14-vjeçar, e familjes së tij dhe e komunitetit të shkollës “Fan Noli” është shumë e madhe për t’u futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudoelite dhe mediatike, e cila përditë e përnatë devijon çdo interes kombëtar e publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri në çdo fatkeqësi e tragjedi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat dhe me hallet e popullit. Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe si qytetarë për të kuptuar që gjithsecili prej nesh duhet të marrë më shumë në pjesën e vet të frontit për mbrojtjen e fëmijëve që nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tanë, përfshirë edhe ekranet e televizorëve ku shumica e atyre që nxjerrin lot krokodili për Shqipërinë e për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës. Duke përfshirë edhe vetë sallën e Parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe e nxitjes së dhunës. I siguroj të gjithë prindërit që personalisht jam i vetëdijshëm që në pjesën time të frontit së bashku me kolegët e qeverisë të bëjmë së bashku me ta të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët tanë nga presioni i hatashëm i rrjeteve sociale dhe për të rritur në tërësi cilësinë e sigurisë së tyre”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se vrasja e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli” ka tronditur opinionin publik. Në lidhje me këtë ngjarje ka pasur shumë reagime, teksa nga opozita nuk kanë munguar akuzat ndaj qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu./tvklan.al