Bashkia e Tiranës do të ndërtojë banesa të tjera sociale për familjet në nevojë. Këtë e bëri të ditur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Sipas kryebashkiakut, për këtë projekt të ri është përcaktuar edhe zona.

“Bashkia e Tiranës ka mbledhur një fond të banesave sociale, të cilat jemi gati ta investojmë. Bëhet fjalë për të gjithë zonën që përshkruhet mes Unazës së Madhe, para se të shkojmë te rruga “1 Qershori” dhe rrugës “Hamdi Pepa”, aty kemi një treg ushqimor, ku sigurisht në ambiente e reja jemi po ashtu të gatshëm, që në pjesët e shërbimit të akomodojmë tregtarë, por është mëkat, që në një qytet që ka nevojë për banesa sociale, ne të përdorim atë hapësirë dhe një tokë që vlen shumë në Tiranë, ekskluzivisht vetëm për shitblerje. Ndërkohë, mund të përdorim katin e parë për shitblerje dhe katet e tjera për të strehuar njerëz.”

Veliaj tha se kjo është një zonë e aksesueshme jo vetëm për qarkullimin, por edhe sa i përket shkollave, të cilat do të vijojnë të ndërtohen.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u vendos që Teatri tek Parku i Madh i Liqenit të Tiranës të mbajë emrin e aktorit të njohur, Mirush Kabashit, i cili është ndarë nga jeta një vit më parë.

“Vendimi për të emërtuar teatrin me emrin e tij përfaqëson një njohje të këtij kontributi monumental dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve dhe qytetarëve. Duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet ekskluzivisht artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të qytetit, një nga pikat më të frekuentuara për të parë, për të bërë dhe për të konsumuar art.”

Këshilli Bashkiak i Tiranës nderoi me një minut heshtje ish-anëtarin e këtij këshilli Arben Tafajn, i cili u nda nga jeta këtë të martë.

Klan News