Pak muaj pasi mori titullin Qytetar Nderi i Tiranës, kreu i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti u prit në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në fokus të takimit ishte dhe çështja e Gjuhës Shqipe, si një e drejtë sipas Veliajt që po mohohet në Maqedoni.

“Po ndjekim me shqetësim gjithë vendimmarrjen e këtyre ditëve. E di që po përgatitet një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe lutja jonë është të kuptojmë se kombet e mëdhenj janë kombet pa komplekse. Një gjuhë, një etni, një grup, një minoritet, një faktor të pasuron, nuk të varfëron. Përkundrazi, kur tregohesh vetanak, zvogëlohesh, kur mendon që vetë i di të gjitha, që vetë mundesh të ecësh në gjithë këto procese, pa shokë, pa skuadër, fillon e zvogëlohesh.”

Ahmeti vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e Veliajt për paqen dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut dhe angazhimin e tij për ruajtjen e marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve.

“Me përkrahjen që i jep marrëveshjes së Ohrit, kryetari i Tiranës i jep mbështetje paqes, i jep mbështetje demokracisë, i jep mbështetje marrëdhënieve të mira ndëretnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Çdo ndryshim apo cenim i marrëveshjes së Ohrit, i ligjit të Gjuhës Shqipe, që është nga shtyllat kryesore të marrëveshjes paqësore për Ohrin, do të thotë që dëmton marrëdhëniet ndër etnike.”

Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi kryebashkiaku Veliaj e nderoi Ahmetin me “Kullën e Sahatit”.

Tv Klan