Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dërguar një urim të veçantë për besimtarët myslimanë, me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.
Edhe pse ndodhet në burg, Veliaj nuk ka harruar të shprehë dëshirat e tij për një agjërim të mbarë dhe një Ramazan të bekuar. Ai shprehet me keqardhje, se nuk do jetë si gjithmonë në darkat e iftarit.
“Me nisjen e Muajit të Ramazanit, muajit të sakrificës, adhurimit, mëshirës dhe faljes, i uroj nga zemra të gjithë besimtarëve myslimanë agjërim të mbarë dhe një Ramazan të bekuar, plot dritë dhe paqe. Një urim i veçantë për vëllain tim, Ahmed Kalaja, që nuk harroi as këtë herë të m’i dërgonte hurmat e Arabisë këtu ku më kanë mbyllur e më vjen keq që nuk do t’ju bashkohem në darkat e përvitshme të iftarit. Bekime të gjithëve! Një agjërim të lehtë dhe të pranuar”, shkruan Veliaj.
Kujtojmë se Veliaj u vu në pranga më 10 Shkurt, ndërsa 2 ditë më vonë në GJKKO u verifikua masa e sigurisë “arrest me burg”. Në qeli u la edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa për bashkëshorten e kryebashkiakut Ajola Xoxa u vendos masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Veliaj akuzohet për dy vepra penale, atë të “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 episode, si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Procesin gjyqësor ndaj tij, e ka cilësuar krejtësisht politik, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë dhe se ai është në qeli pa gjyq. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur kolegët e tij socialistë dhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama.
/tvklan.al