Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një video e cila sipas tij rrëzon pretendimet e prokurorit Ols Dado. Ai vijon duke e cilësuar Dadon një “prokuror ndërtues” që ka stisur akuza ndaj tij.

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj thotë se Dado e ka përfshirë në një dosje të rreme dhe e akuzon për favorizim për një shtëpi 1-katëshe në Yrshek, e ndërtuar nga një familje punëtore me kursimet e tyre.

“Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria “Fusha”.

Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumë katësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqëri me licencat përkatëse. Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t’u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90m2”, shkruan Veliaj.


Kujtojmë se të Premten, Veliaj i dërgoi një letër Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku i kërkoi pezullimin nga detyra tё prokurorit Olsi Dado, lidhur me shkeljet që sipas kryebashkiakut, ai ka kryer në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të Veliajt.

/tvklan.al