Ka nisur procesi i Primareve në selinë e PD në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Fier. Përmes këtij procesi bëhet përzgjedhja e kandidatëve që pritet të jenë në listën e 11 Majit për deputet në secilin qark.
Në Shkodër janë 31 emra në garë, ndërsa të drejtë vote kanë 7 mijë anëtarë të kësaj force politike.
“Situata paraqitet e qetë, ndërsa ka interes ka ana e demokratëve për këtë votim. Përgjithësisht kandidatët janë emra të njohur dhe me kontribut në Partinë Demokratike”, raportoi gazetarja e Klan News Emi Kalaja.
Në Durrës po ashtu, anëtarët e kësaj partie po votojnë tek pallati i sportit “Ramaza Njala”, në të cilin gjenden 3 komisione zgjedhore. Janë afro 3000 anëtarë që do votojnë në një listë me 37 emra të regjistruar në Primare. Deputeti Oerd Bylykbashi thotë se ky është një proces mjaft i rëndësishëm i Partisë Demokratike. Nga lista me 37 emra do të përzgjidhen ata që marin minimalisht 130 vota.
Procesi i votimit ka startuar edhe në degën Fier të PD-së. Sipas gazetares Anila Sefa, i pranishëm në votimin e kësaj të Shtune ishte edhe drejtuesi politik i qarkut Gazment Bardhi, i cili ka dhënë udhëzimet për mbarëvajtjen e procesit. Sot garojnë 22 kandidatë sipas parimit. Në selinë e degës Fier pritet të votojnë rreth 1000 anëtarë. I pari që hodhi votën në kuti ishte Bardhi, më pas kandidatët për të vijuar me Anëtarësinë.
Procesi i votimit ka filluar edhe në Patos, Roskovec e Mallakastër ku pritet të shprehin vullnetin e tyre rreth 4000 anëtarë, referuar pjesëmarrjes në proceset e mëparshme.
1950 anëtarë të PD-së dega Lushnje po votojnë po ashtu, për 22 kandidatë në listë. Saimir Korreshi, Eduart Sharka, Ilda Dhori, Elisabeta Rredhi, Gentian Çela dhe Servin Sejani janë 6 emrat nga zonat Lushnje e Divjakë që presin votat e Anëtarësisë.
Lezhë – Në garë janë 19 kandidatë, ndërsa numri i anëtarëve në rang qarku është 7600. Siç bën me dije gazetari Martin Marku, procesi po vijon normalisht dhe pa problematika.
Ndërkohë që në nisje të procesit është theksuar se të drejtën e votës e kanë ata anëtarë të cilët janë të pajisur me kartat e Anëtarësisë para vitit 2021. Primaret e këtij viti kanë edhe një risi, sipas parimit “një anëtar, një votë”, në listë do të përzgjidhet vetëm një emër. Procesi ka nisur në orën 08:00 dhe pritet të përfundojë në orën 18:00. Votat do numërohen më pas në selitë përkatëse.
Deri më tani janë regjistruar 468 kandidatë të propozuar dhe vetëpropozuar, nga të cilët 289 kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës. Në këtë garë, 89 kandidatë janë gra ndërsa 47 i përkasin grupmoshës së të rinjve.
/tvklan.al