Protesta të dhunshme janë zhvilluar në Selanik pasditen e sotme, kundër emrit të ri të Maqedonisë. Protestat u zhvilluan në një kohë kur i pranishën në Panairin e Selanikut ishte edhe Kryeministri grek Alexis Tsipras, kryebashkiaku i qytetit Janis Boutari dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.
Me pankarta në duar, protestuesit bënin thirrje kundër Kryeministrit Tsipras. Protesta u përshkallëzua, kur rreth 50 persona të maskuar nisën të qëllonin me gurë, duke kaluar kështu në dhunë mes forcave policore dhe protestuesve. Policia hodhi gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat e qytetarëve. Nga përleshjet pati disa policë dhe protestues të lënduar lehtë.
Shtypi grek raporton se gazetarët patën gjithashtu vështirësi në mbulimin e kësaj demonstrate. Sipas reporterëve, protestuesit reaguan ashpër edhe ndaj shtypit duke kundërshtuar prezencën e tyre aty.
/tvklan.al