Ditën e sotme rubrika “Për drekë me mua” u zhvillua në shtëpinë e të vetmes femër në konkurrim. Këngëtarja Çiljeta Xhilaga zgjodhi një menu të sigurt për të kënaqur të ftuarit e saj, gazetarin sportiv Alban Xhihani, dietologen Blerina Bombaj dhe aktorin Gent Hazizaj.
Ajo përzgjodhi të konkurronte me një drekë tradicionale, tipike dibrane, prej nga ka dhe origjinën.
Pjata e parë “Edhe kështu edhe ashtu” ishte një sallatë fshati me perimet e stinës, pjata e dytë “Cucë dibrane” ishin jufka me zogj fshati, ndërsa e treta ishte një ndër ëmbëlsirat më në zë të kësaj treve, “Sheqerpare”, të cilën Çiljeta e emërtoi “S’ke ku vete”. Konkurrentët Albani dhe Genti mbetën mjaft të surprizuar nga dreka, të cilën e shijuan dhe e vlerësuan me 58 pikë.
Gjatë rubrikës “Për drekë me mua”, këngëtarja rrëfeu dy projektet që po përgatit për sezonin veror. Çiljeta Xhilaga ka preferuar që të sjellë dy duete, një me grupin “Alar Band” dhe tjetrën me këngëtaren e njohur Fatmira Breçani.
“Kam vetëm demon, por e shikoj që ka për të dalë një gjë shumë e bukur”,
tregoi Çiljeta entuziaste për këtë bashkëpunim.
Në fund të drekës djali i këngëtares, Fernando, i cili e shoqëroi të ëmën gjatë gjithë programit, i shërbeu frutat të ftuarve./
tvklan.al