Dashnor Diko është këngëtari i hitit të viteve ‘90 “Si banania”, e cila vazhdon edhe sot të risillet me të njëjtin emocion në evente të ndryshme. Edhe pse prej vitesh Diko është shkëputur nga muzika, ai vazhdon të mbetet ndër personazhet e dashur për publikun.
Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Kush vjen për drekë” në Tv Klan nga ku foli edhe për familjen.
“Unë kam dy djem, Bob dhe John. Emrin Bob djalit ia kam vendosur për hir të këngëtari Bob Marley, i cili ka qenë idhulli im që para viteve 90-të. E kam patur ëndërr që para se të krijoja familje që nëse do të kisha një djalë do t’ia vendosja emrin Bob dhe Zoti më bekoi me një djalë. Dhe emrin e djalit të dytë ia kam vendosur për hirë të John Lennon, një prej anëtarëve të grupit “The Beatles”. Bashkëshorten e kam njeri të mirë dhe nuk më ka dalë kundra edhe për emrat e fëmijëve. Bobi tani është në Amerikë, studion atje, kurse John është këtu”,
tha Diko.
Gjatë emisionit Diko është surprizuar nga djali i tij Bob përmes një videomesazhi. Fjalët e të birit duket se emocionuan aq shumë këngëtarin, i cili nuk mundi t’i mbante dot lotët.
“Ti e di që unë nuk jam person që i shpreh ato që ndjej dhe mbaj shumë gjëra përbrenda. Por, sot dua të të them disa fjalë. Unë pa ty s’do isha asgjë. Ne gjithmonë kemi qenë bashkë dhe kemi folur për gjithçka sepse përveçse je babai im, je edhe shoku im më i mirë. Tani ne jemi larg njëri-tjetrit dhe unë se kisha menduar kurrë që do të më mungoje kaq shumë. Unë shpresoj shumë të bëhem sa gjysma jote dhe të të bëj krenarë. Do doja shumë të të kisha afër dhe të të përqafoja. Faleminderit për gjithçka që më ke dhënë”,
tha Bob në mesazhin e tij.
/tvklan.al