Ishte Prilli i vitit të largët 1997 kur nisën lëvizjet e para për krijimin e televizionit “Klan”. Në atë kohë, Aleksandër Frangaj së bashku me Armand Shkullaun, Blendi Fevziun dhe Andi Bushatin i prezantuan dy financierëve Julien Roche dhe Marsel Skëndo, idenë e tyre për të hapur një televizion që do të bënte dallimin me mediat e tjera në Shqipëri.

Pas miratimit të idesë, nisën përpjekjet për ngritjen e Klanit. Fillimet kanë qenë të vështira dhe në hapat e para transmetoheshin filma e dokumentarë. Produkti i parë konkret ka qenë në qershor të vitit 1998, kur në studiot e televizionit “Klan” u realizua emisioni sportiv.

Ndërsa më 1 Gusht 1998 nisën transmetimet e edicioneve informative, tre herë në ditë. Sikurse e pohon edhe drejtori i televizionit Klan, Aleksandër Frangaj, në shtator 1998 ndodhi njohja masivisht nga publiku e televizionit “Klan” me ngjarjen e dhimbshme të vrasjes së Azem Hajdarit.

-Aleksandër Frangaj: Ideja e televizionit nuk është se erdhi krejt rastësisht. Lindja e televizioneve të reja nuk kishte si të na linte jashtë, pra grupin më të madh të gazetarëve që vinin nga gazeta më e madhe “Koha Jonë”.

-Armand Shkullaku: Ishte një moment tepër i vështirë në atë kohë. Bëhet fjalë për vitin ’97. Revista kishte pak muaj që kishte dalë dhe që të mendoje në atë periudhë për një projekt kaq futurist, të paktën siç na dukej ne, nuk ishte një gjë e lehtë dhe nuk e dinim si do ta prisnin si të thuash, dy partnerët e tjerë, Julien Roche dhe Marsel Skëndo. E mbaj mend kemi qenë në atë periudhën Mars ose Prill, nuk mbaj mend saktësisht. Morëm rrugën për Durrës. Në atë periudhë gjithë Shqipëria ishte në rrugë. Armët ishin sheshit, krismat dëgjoheshin kudo dhe shkuam te vila e Julien Roche në Durrës, te ish-blloku në zonën e plazhit. Në atë moment kemi shkuar te Julien-i, patëm njerëzit e vet me armë që na shoqëruan dhe kemi biseduar për projektin e televizionit. Më saktë, Sandri më shumë me Julien-in për ta bindur për benefitin apo për interesin që do të kishte një media alternative në Shqipëri.

 -Julien Roche: Efektivisht erdhën në Prill 1997. Pra, 20 vjet më parë me synim ngritjen e këtij televizioni. Ideja e parë për të ngritur këtë televizion erdhi nga Aleksandër Frangaj. Ishte ai i pari që e pati këtë ide. Ma sugjeroi bashkë me tre ata që unë i quaj tre muskëtierët. Pra Aleksandër Frangaj me Andi Bushatin, Armand Shkullakun dhe Blendi Fevziun. Ata janë tre muskëtierët që ishin që në gjenezë të këtij projekti. Falë ideve të tyre, unë dhe Marseli u bindëm të financonim këtë sipërmarrje.

-Aleksandër Frangaj: Bëmë një vizitë në një takim me të në vilën e tij në Durrës, ku e hodhëm si ide. Kemi dëshirë që ta pasurojmë grupin, veç revistës e radios edhe me një televizion. Fatmirësisht, ai u tregua më entuziast sesa ne në idenë që i propozuam. Biles, ai rastësisht në shtëpi, në vilën e tij në Durrës kishte një transmetues televiziv. Se për çfarë e kishte nuk e di. Edhe tha po, që nesër. Investimi i parë për të dalë në transmetim me sinjal, me mjete minimale mbaj mend ka qenë rreth 17 milionë lireta, në atë kohë.

-Pandi Laço: Ka qenë viti 1997. Një ditë më merr në telefon Aleksandër Frangaj më propozoi që të isha pjesë e televizionit Klan që sapo lindte. Shkoj në Klan dhe gjej vetëm dy teknikë, le t’i quajmë kështu. Njëri nga ata në fakt inxhinier. Raqi Bicka dhe Endrit Malosmani, Shpëtim Roqi  gazetar i TVSH edhe unë u bashkuam në këtë katërshe për të filluar transmetimet në televizionin Klan, i cili për hir të së vërtetës ka filluar si një televizion pirat, po e quaj kështu sepse vetëm kaseta, filma, dokumentarë në mënyrë pirateske transmetonim. Nuk kishte asgjë tjetër, asnjë produksion.

-Armand Shkullaku: Nje godinë modeste te Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë. Po të shikoje aty ishte një banjo e kishim përshtatur për laborator fotografie. Një zyrë tjetër e kishim bërë studio radioje. Tani aty do bëhej edhe një televizion. Ne shikonim pak edhe me pozesivitet atë punë sepse gjithë ajo godinë ishte e revistës. Pak nga pak po na hynin këto mediat e reja edhe po na bënin pak më të ngushtë.

-Aleksandër Frangaj: Nga 25 Nëntori i ’97-s kemi vijuar për të përgatitur projektin e investimit të madh, ku do të krijoheshin studiot e prodhimit, studiot e montazhit, studiot e transmetimit dhe në Qershor të 98-s mbaj mend kemi dalë me program të prodhuar vetë nga studiot tona. Patëm bërë një program koiçidoi me France ’98, me kampionatin botëror mos gaboj.

-Pandi Laço: Programi i parë që unë e identifikoj me Klanin ka qenë “Klubi i futbollit, djemtë e Klanit”. Një  program-sport i cili filloi në vitin 1998, në Qershor. Kur ka qenë kampionati botëror ishte një program shoë, sport dhe pjesë e këtij program ishte Agron Llakaj, Adriatik Dosti gazetari sportiv edhe unë që do ta prezantoja dhe që isha skenaristi dhe autori i këtij programi.

-Bledar Laço: Vetë hapja e emisionit ishte e çuditshme, me një personazh që rrinte me kurriz nga kamerat, asnjëherë me portretin e treguar. Gjë që s’kishte ndodhur kurrë më parë në asnjë televizion, aq më tepër kur po startojmë në një televizion privat. Të ftuarit, drejtuesit e emisionit që visheshin me bluzat e nacionaleve që luanin me atë tifozllikun e madh.

-Aleksandër Frangaj: Dhe me 1 Gusht të ’98-s dolëm në transmetim dhe filluam me edicionet informative. Pra, filluam me lajme, me tre edicione në ditë, ku themeluesi i redaksisë, dhe drejtues i redaksisë së lajmeve të parë ka qenë gazetari i njohur, Fatos Baxhaku.

-Fatos Baxhaku: Mbaj mend që kishim një zyrë dhe një kompjuter dhe ky kompjuter nuk e di nga kush përdorej, por herë e shihnim të zbërthyer, herë e shihnim të mbërthyer se ndokush edhe mësonte me atë kompjuter ndërkohë.

-Eduard Frangaj: Kur e nisëm këtë rrugëtim kemi qenë vetëm 5 reporterë. Kryeredaktor ka qenë Fatos Baxhaku. Kemi patur një pikë montazhi që kur vinte ajo koha e montimit të lajmit, aty bëhej një luftë e vërtetë kush montonte i pari, me kaseta apo kamera që ndryshe i quanim kaseta dhe kamera dasmash VHS.

-Fatos Baxhaku: Kishte edhe një shtresëzim brezash. Isha unë, ishte Aldo Lipe, i cili mbulonte 90% të informacionit të rretheve. Pra, kjo ishte një risi e madhe, ne bëmë figurën e korrespondentit të rrethit. E ngritëm nivelin në bashkëpunim me Sandrin qoftë edhe për punë pagese dhe për punë respekti dhe për punë vlerësimi gazetaresk. Aldo mbulonte këtë, Dori Daka mbulonte lajmet e jashtme mbaj mend. Pastaj, më vone ka ardhur Sandër Çipa që zëvendësoi Aldon me punët e rretheve. Po fryma besoj ka qenë çelësi i parë dhe të shkuarit mirë me njëri tjetrin.

-Aleksandër Frangaj: Me rekrutimin e stafit të redaksisë së lajmeve në atë kohë u mor kryesisht Baxhaku si kryeredaktor. Unë, të them të drejtën, nuk u përzieva, përveçse kur u diskutua dhe u punua për të marrë prezantuesit e lajmeve, ata që do dilnin në ekran. Ka qenë një përzgjedhje shumë e mirë. Mbaj mend përzgjedhja e Mirela Milorit, që pa e parë në regjistrim më pëlqeu që nga paraqitja por kur filloi  të bënte provën e televizionit ishte e prerë, e gatshme për të dhënë lajmet. Domethënë, vajzë e fisme, e ftohtë, e qetë. Ajo ka qenë prezantuesja e edicionit kryesor në lajme.

-Mirela Milori: Ka qenë Korriku i 1998-s. Klani po krijonte bërthamën e parë të lajmeve dhe kërkonte elementë të rinj. Kisha veshur një këmishë jeshile. Regjia ishte përballë dhe unë pasi mbaroj kamerën, lajmin që hedh në kamera shoh në regji. Në regji shoh, ishin të gjithë, Fatos Baxhaku kishte disa njerëz por ishte një burrë, një djalë i gjatë. I gjatë, i hollë, i cili në momentin që unë mbaroj këtë lajmin që hedh në kamera ishte në këmbë, i bie tavolinë së regjisë dhe thotë: “Këtë gocën me jeshile du”. Ouu thashë unë, kush është ky që vendos për njerëzit. Ky ishte Aleksandër Frangaj dhe u vendos aty që unë do jepja shtatë e gjysmën.

-Fatos Baxhaku: Do veçoja ashtu Mirela Milorin, që më duket vazhdon të japë lajmet mesa shoh. Ka qenë një figurë qëndrore e asaj kohe. Edhe ajo pati një përvojë të madhe, por me atë dinjitetin e saj, seriozitetin e saj arriti të kthehej në figurën qendrore të lajmeve të asaj kohe. Nuk e di mund të kem harruar ndonjë emër po them që ajo fryma e të qenit familje për të përballuar një sfidë të madhe është çelësi i suksesit i Tv Klanit.

-Mirela Milori: Tani vjen transmetimi i parë, 1 Gushti i 1998-s. Në orën 6, unë kisha mbaruar me grimin, ishin dhënë kokat e lajmeve, të gjithë ishin poshtë te kjo regjia që them me studion e lajmeve. Unë kisha lajmet në dorë dhe veja e vija. S’e harroj atë momentin kur në orën 7 vjen Baxhaku dhe më thotë, “Milo hajde se tani do zbresim poshtë për lajmet”. Me Tosin për dore kam hyrë. Edicioni i parë? Klani vendosi standardin. Vendosi standardin sepse ne e shkatërruam skaletën standarde që fillonte me politike, kronikë, rajon, sepse kishte një situatë Kosovë. Vazhdonte me botë e kulturë. Klani vendosi një standard dhe ky standard ishte lajmi më i rëndësishëm i ditës ishte lajmi i parë. Ne e filluam me kronikë të zezë.

-Aleksandër Frangaj: Ajo që e futi në treg televizionin tonë ka qenë ngjarja e dhimbshme e asaj kohe dhe që ndodhi shumë shpejt pasi ne kishim dalë në transmetim, ishte vrasja e Azem Hajdarit.

-Pandi Laço: Kemi qenë në një festë, po natyrisht aty ka qenë Sandri, Alba, Fevziu e kështu me radhë dhe më kujtohet që ndodhi vrasja e Azem Hajdarit. Aty festa mbaroi. Aty nuk kishte më gëzim, kuptohet dhe të gjithë siç ishim u kthyem në punë.

-Aleksandër Frangaj: Në atë kohë as nuk bëhej fjalë për transmetime live. Mbaj mend ne e kemi mbajtur të gjithë ditën e 14 Shtatorit, protestën e madhe në atë kohë sikur ne ishim live. Por duke nxjerrë të gjithë kameramanët në terren, secili xhironte një kasetë bruto. Sillte kasetën e fusnim në transmetim, sa mbaronte ajo fusnim një kasetë tjetër që vinte nga kameramani tjetër edhe kemi mbajtur gjatë gjithë ditës, pasqyrimin e asaj ngjarje si asnjë televizion tjetër atë ditë. Non-stop edhe aty e morën vesh njerëzit që është një televizion, edhe që është Klani. Po të themi kur e ka ditëlindjen televizioni Klan realisht e ka me 14 Shtator të ’98-s. Aty u duk. U kërkua nga njerëzit, u futën në telekomanda domethënë. Ajo ditë ka qenë dita e Klanit.

-Fatos Baxhaku: Pra, këta djemtë e kamerave, mbaj mend Dash Ballën. Tak Papadhimitri ishte shefi i tyre. Izmir Hajdari ka qenë një nga të tjerët. Bënë një lloj stafete. Çdo 10 minuta ne kishim një transmetim të pamontuar që në sytë e publikut në atë kohë ishte si transmetim direkt dhe ishim shumë minuta para rivalëve në këtë lloj transmetimi. Kjo na dha pastaj ngenë e duhur për të shtuar ndonjë debat të ndrojtur në studio.

-Aleksandër Frangaj: Pas 14 Shtatorit dhe krijimit të njohjes në opinion, kryesisht bëhet fjalë për në Tiranë, Durrës. Goditja e dytë më e fortë për rritjen e Klanit ka qenë ardhja e emisionit “Opinion” në Tv Klan. Siç dihet “Opinioni” ose në atë kohë me titullin, me emrin ” E diela debat” nga Blendi Fevziu ishte një program që ishte nisur në ’97-n në televizionin publik. Në ’98-n, pra rreth pas një viti të këtij programi atje, si çdo media shtetërore filluan të krijojnë probleme në raporte dhe në marrëdhënie mes drejtuesve të televizionit me drejtuesit e programit. Meqenëse Klani kishte filluar të hyjë në treg, një ditë e mbaj mend ka qenë ditë e shtunë, më takon Blendi. Jemi takuar te bar Uesti, diku te parku “Rinia”. Më thotë a e bëjmë dot emisionin tim në Tv Klan. Po të mendohej mirë nuk e bënim dot, nuk e bëja dot. S’kishim as infrastrukturë, as kushte, as studio, as mjete. I them unë, po. Pa e mbaruar pyetjen Blendi i them po e bëjmë menjëherë. Po unë tha kam emision nesër, ishte e dielë. Çfarë problemi ka i thashë unë. Nesër në 20:00 të darkës ti e ke studion gati. Mblodha gjithçka kisha, bashkëpunëtorë, shokë, miq u them duhet të bëjmë studion, duhet të bëjmë skenografinë. Bëhuni gati, nesër ne kemi emisionin “Opinion” në Tv Klan. Kemi punuar të shtunën për gjithë natën dhe të dielën paradite. Dhe të dielën pasdite kam thirr Blendin dhe i kam  thënë hajde e shihe studion tënde. E morëm e bëmë identik sikur ajo që kishte në TVSH. Ai edhe vetë u habit sesi u bë, por ishte dëshira, pasioni për ta patur se ishte një program jo vetëm i gatshëm, por ishte një program më i suksesshmi i asaj kohe.

-Armand Shkullaku: 2000-shi shënon fillimin tim në Klan, në drejtimin e departamentit të informacionit. Në atë kohë, sigurisht, nuk ka qenë e lehtë. Sa më shumë forcohej televizioni, sa më shumë i rëndësishëm bëhej televizioni aq më e madhe ishte dhe presioni politik, trysnia që ushtrohej, tentativat për të ndikuar që herë pas herë, si të thuash, te unë personalisht ka patur ndikimet e veta. Pra, ka pasur momente të mira dhe ka pasur momente ku unë jam detyruar pse jo dhe të largohem. Jam rikthyer prapë, por si të thuash, te informacioni ka rënë pesha më e madhe e gjithë kësaj trysnie politike që duam apo s’duam ka përcjellë udhëtimin e çdo media në Shqipëri, por Tv Klan meqenëse ishte media kryesore në vend kishte dukshmëri më të madhe.

-Aleksandër Frangaj: Një nga elementet e suksesit për Klanin ka qenë se u themelua nga gazetarë. Nga gazetarët më të mirë të asaj kohe. Gjithëkush ka qenë gazetar në “Koha Jonë”, revistë “Klan”, dhe në televizionin Klan, sot është udhëheqës nëpër media apo nëpër programe. Unë jam nga njerëzit më të suksesshëm edhe sot. Pra, suksesi i Klanit ishte se, jo vetëm përbërja e gazetarëve të talentuar por edhe qëllimi që u ngrit nuk u ngrit siç u ngritën shumë media të tjera më vonë nga biznesmenë për interesa.

-Armand Shkullaku: Televizioni u ngrit nga një grup njerëzish që ishin gazetarë. Pra, dhe Sandri vetë, edhe unë, edhe Blendi, edhe Bushati, dhe një pjesë tjetër që ka qenë aty dhe Baxhaku dhe gjithë grupi, Sokol Balla, janë shumë emra. Ne vinim nga gazetaria.

-Aleksandër Frangaj: Dhe fakti që rreth Klanit janë mbledh gjithmonë gazetarët më të mirë të tregut. E ka treguar këtë gjë dhe ka qenë një gjë që faktikisht ka qenë në filozofinë time të ndërtimit të punës në të gjitha mediat ku kam punuar. Kam preferuar, më mirë të punoj me gjeneralë sesa me ushtarë. Në fakt puna e drejtuesit të çdo institucioni, por sidomos të një televizioni është shumë më e vështirë kur ke bashkëpunëtorë gjeneralë se sa kur ke ushtarë. I urdhëron, i komandon, i largon, i afron si do dhe kur do. Gjë të cilën nuk e bën dot me gjeneralë sepse me gazetarët që ishin njerëz në moshë me mua, të të njëjtit formim ndoshta më të aftë dhe më të zotë në drejtimin e lajmeve apo të emisioneve të tyre. Pra, puna e drejtuesit bëhet më e vështirë. Një gazetar që po e gradoj gjeneral nuk mund t’i thuash që ai të bëjë çfarë do ti dhe ai nuk të dëgjon. Të thotë edhe jo.  Por, gjithmonë kam zgjedhur, më mirë të kem një punë të vështirë për veten time, por ama të kem një sukses të garantuar sesa të kem një punë të lehtë me të tjerë por me njerëz që nuk të sjellin produktin që duhet. Pra, gjithmonë ka qenë primar, interesi i televizionit, interesi i suksesit dhe pjesa tjetër është më pak e rëndësishme. Kam pranuar dhe të debatoj, kam pranuar dhe të më thonë jo nuk e bëj. Më kanë thënë shumë shpesh, dhe më thonë edhe sot që këtë gjë nuk e bëj, këtë gjë nuk e fus ose këtë gjë nuk e heq. Dhe asnjëherë kam qenë  i lumtur që kam pasur atë tillë bashkëpunëtor që më thotë jo sesa po të më thonë, po, po për çdo gjë dhe telekomandat shkojnë në një televizion tjetër.

-Mark Marku: Mendoj që të Klani kanë shkuar në harmoni tre investime të rëndësishme pa të cilat një media nuk mund të funksionojë. E para, investimet teknologjike, kanë qenë avanguard së bashku me media të tjera të rëndësishme, kryesisht Klani.. Në avangard të investimeve teknologjike. Mediat janë, sidomos mediat televizive janë të varura fort dhe të lidhura me teknologjinë dhe Klani e ka besuar këtë.

-Dritan Shakohoxha: Ajo që më ka bërë përshtypje gjthmonë është që ka ditur të investojë para, shumë para, madje shifra të jashtëzakonshme një si Sandri që s’e ka qejf fare futbollin. Pa pasur qejf futbollin ka shpenzuar kaq shumë para duke pasur qejf televizionin. Klani ka bërë histori mediatike në sport. Unë flas për pjesën time. Ka bërë historinë realisht sepse theu mitet, ndryshoi realitetin e televizionit në Shqipëri. Për herë të parë projekti që çuam bashkë me Tanin, drejtorin e marketingut, Aleksandrit në zyrë që ne duam të blejmë Champions League ishte pak a shumë si çmenduri për kohën.

-Aleksandër Frangaj: Të gjitha televizionet në ditën që kishte ndeshje transmetonin të njëjtën program, ça ishin televizione private përfshi dhe shtetërorin mos gaboj. Pra, të gjithë e vidhnin. Merr me marrësa me dekoder nga sateliti. Lidhe. Fut një komentator në studio dhe ishte e kollajtë sepse sporti edhe kishte audiencë, por ishte dhe program i lirë sepse kushtonte vetëm një komentator dhe nuk paguhej gjë për ta marrë. Në ato kushte nuk bëhej fjalë për konkurrencë sepse ishte e njëjta ndeshje në të gjitha kanalet. Më vjen Dritan Shakohoxha në vitet ’99-2000 mos gaboj dhe thotë, “O robo, ta blejmë ne të drejtën eksluzive të Champions League”. Të them të drejtën as nuk e kisha ndjekur, nuk isha tifoz. Po pse? Ta kemi vetëm ne tha. Po si i bëhet. E zgjidh unë tha por a je dakord ta blejmë. Dakord i thashë. Po sa kushton. S’dinin. Hymë në negociata me UEFA-n. U lidhëm me UEFA-n. U gëzuan dhe ata dhe i kishin thënë që çfarë çmimi, lejeni në dorë të televizionit ta propozojë. Më vjen Shakohoxha dhe më thotë mua sa je në gjendje të paguash për të drejtën eksluzive, do ta ketë vetëm Klani për tre vjet. U ulëm. Po sa t’i themi. T’i themi kaq. Po mos është pak. Po kaq, po mos është shumë se s’kemi mundësi, se atëherë s’bëhej fjalë as reklama asnjë gjë ishin shumë minimale. Dhe mbaj mend dhashë një ofertë 200 mijë franga zvicerane për tre vjet.

-Dritan Shakohoxha: Një nga gjërat më të bukur që mund të kujtoj në atë kohë është ardhja e një aparature satelitore gjigande, që në kuadrin e asaj për të thënë që Sandri asnjëherë nuk ka qenë as drejtor, as pronar i Klanit por ka qenë brigadier, ka qenë punëtor vetë si ne. Qemë bashkë që e kemi mbajt gjithë atë në një taracë që ishte aty afër për t’u instaluar ky sateliti i madh për t’u marrë sinjali i Champion League sepse kishte kushte specifike.

-Aleksandër Frangaj: Ne e kishim sinjal të pastër pa komentatorë të huaj. Kishim sinjal direkt nga fusha, i kishim pa logo, pa gjë, siç merren edhe sot. Gjithë të tjerat Shijaku, Arbëria seç kanë qenë ca televizione. Ne e kishim blerë dhe  paguanim jo 200 mijë frangat siç ishte për të drejtën, por paguanim dhe çdo ndeshje për marrjen e sinjalit se 200 mijëshi ishte për UEFA-n, ndërsa Eurovizioni të merrte për çdo shërbim që kryente. Ishin shumë lekë për ne në atë kohë. Ne me të blerë, të gjithë të tjerët me të vjedhur.

-Rudina Magjistari: Më erdhi ftesa për të bashkëpunuar me televizionin Klan në një spektakël i cili do të vazhdonte shumë shpejt në atë kohë nga drejtori i produksionit i televizionit Klan në ato vite, Petrit Beci. Ai më kërkon një takim dhe më propozon më thotë idenë në emër të drejtuesve të televizionit Klan. Sigurisht që u ndjeva e lumtur, më pëlqeu shumë ideja sepse bëhej fjalë për një program shumë të rëndësishëm, një spektakël shumë të rëndësishëm. Do të ishte spektakli i parë në historinë e televizionit Klan i realizuar në përmasa të tilla dhe në studio gjigande. Do të realizohej ‘Maratona e Këngës Popullore’ dhe ‘Portat e Fatit’ që ishte një lojë fati. Të dyja në një spektakël të vetëm. Unë nuk i harroj kurrë momentet e provës të çelësit në bravë. Kanë qenë momente të paharrueshme, spektakolare do të thoja, kur ndodhte që çelësi rrotullohej edhe brava hapej. Ajo thirrja ime “e hapi”, pra që fituesi e hapi dhe u bë në këtë moment fituesi i një apartamenti gjigand në Tiranë më dilte nga shpirti edhe gëzohesha bashkë me fituesin, por jam e sigurt që bashkë me mua me mijëra teleshikues që na ndiqnin. Madje u kthye në fenomen ajo batuta “e hapi”. Unë edhe sot e kësaj dite dëgjoj akoma njerëzit që kur hapin një derë thërrasin “e hapi”.

-Aleksandër Frangaj: Në vitet 2002-2003, Klani ishte absolut me të drejta televizive, me Champions League të martë e të mërkurë, me kampionat italian në fundjavë, me kampionat spanjoll, pra ishim top në audiencë. Sigurisht në atë kohë kishin ardhur dhe programe të tjera përveç “Opinionit” që ishte bërë dy herë në javë.

-Aleksandër Frangaj: Konkurrenca nisi me daljen në transmetim të televizionit “Top-Channel”. Konkurrencë shumë e fortë, se ndryshe nga ne “Klani” u vetëfinancua, u vetëndërtua. Pra, filluam si një bërthamë me një dhomë, pastaj nga një dhomë e kuzhinë, dhe arkëto të ardhura nga reklamat, investo. Merr dy, hidh dy, dhe kështu është ngritur historikisht. Se “Klani” nuk kishte prapa nga një biznes të madh që duheshin kaq lekë të financonte. Ndërkohë, Topi erdhi me tjetër filozofi. Erdhi me buxhet të garantuar.

-Armand Shkullaku: Dikur kam patur një bisedë me ish-presidentin e “Top-Channel”, të ndjerin Dritan Hoxha, i cili kishte bindjen dhe i pëlqente shpesh të bënte këto krahasimet me makina dhe thoshte që, ‘shiko unë kam besim që një makinë e mirë, një Ferrari i mirë e fiton garën, pavarësisht se piloti mund të mos jetë ekselent’. Ju – thoshte – që keni pilotët, por makina juaj nuk është aq e mirë sa makina ime. Kështu që unë e kam garën të fituar që në start. Nuk e di sa të drejtë kishte.

-Aleksandër Frangaj: Por, ajo ka qenë një konkurrencë shumë e fortë. Dhe përkoi edhe me një situatë të pafavorshme për mua. Në ato kohë, pushteti dhe qeveria e asaj kohe për shkak të probleme që u nxirrte televizoni “Klan” filloi t’u bëjë presion të dy bashkëpronarëve. Dhe arritën deri në atë pikë sa ju kërkua me forcë largimi im si drejtor i televizionit. Sigurisht ata nuk e pranonin, e refuzuan disa kohë, por presioni nga ana e kryetarit të qeverisë së asaj kohe ishte shumë i madh sa arriti deri aty ju çonte fadromat e INUK-ut të asaj kohe, në disa vila që ata ndërtonin në bregdet. O hiq Frangajn si drejtor ose do të shembim vilat. Rezistuan sa rezistuan dhe ata, erdhi një moment që dhe ata u dorëzuan. Imagjino çfarë entuziazmi mund të kishte tek unë apo tek gjithë bashkëpunëtorët e televizionit për të menduar, për të prodhuar programe, për të rritur cilësinë, për të qenë në ecje, në vrap çdo ditë, kur ke përditë çekiçin do ikësh, do japësh dorëheqjen, do të heqim, do të shkarkojmë, do të bëjmë… Dhe ajo periudhë pëson edhe rënien e televizionit dhe ikjen nga lider apo udhëheqës si televizioni më i ndjekur. Gjë e cila u zgjidh më pas me blerjen e aksioneve nga ana ime, të aksioneve të tyre, pasi e panë që konflikti mes meje si gazetar, se mua nuk kishte ç’më bënte qeveria, unë isha gazetar, s’kisha asnjë biznes tjetër dhe isha përballur prej shumë vitesh me qeveritë e radhës, ndërsa atyre u krijonte probleme në bizneset e tjera.

-Bledar Laço, regjisor: Për Gjeniun mund të them që ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, aq më tepër që angazhimi ka qenë shumë i madh se ne ishim grup i madh që përzgjidhnin fëmijët e talentuar në tre zhanret artistike, këngë, balet dhe instrument nëpër gjithë Shqipërinë, Kosovë dhe Maqedoni. Ka qenë dimër dhe kujtoj fëmijë pa fund në mes të të ftohtit, në mes të dëborës, Korçës që kishin zënë radhë dhe prisnin komisionin të dëgjonte që në 08:00 të mëngjesit, të ardhur dhe nga Pogradeci apo dhe nga fshatrat, nga rrethinat e Devollit, nga Erseka me gjithë prindërit. Dhe që ne nuk mund t’i përballonim një fluks aq të madh dhe nuk dinim si ta zgjidhnim kohën, jo vetëm në Korçë po dhe në shumë qytete të tjera. Na kanë shkuar audicionet deri në 20:00 dhe 21:00 të darkës.

-Aleksandër Frangaj: Faza ose zhvillimi i madh ose ndryshimi me televizionin “Klan” me televizionin e vjetër nisi rreth viteve 2008-2009 me ndërtimin e studiove të reja, të përmasave dhe standardeve europiane. Dhe në fakt është edhe momenti kur mora vendimin që të ndryshojmë edhe imazhin sepse aty kishim probleme. Studio me skenografë shqiptarë, me materiale të dobëta, të lira, me ndriçim amator dhe në ato kohë mora një vendim që të hedh një hap tjetër. Hapi i radhës për të ndryshuar ishte fillimi i bashkëpunimit me një nga skenografët më të mirë të Italisë. Ftesa e Gaetano Castelit që punonte në atë kohë e deri vonë skenograf në Rai, në Mediaset, sigurisht që ishte një hap me kosto, sepse të marrësh skenografin e “Canale 5” dhe të vijë të bëjë studio për “Klanin” ishte një kosto… Vetëm skenografia, vetëm dizajni ishin baraz me të gjithë buxhetin që këtu kushtonte një program i tërë. Por ishte një hap që duhej hedhur.

-Ardit Gjebrea: Prej 10 vitesh tashmë që është programi “E Diela Shqiptare”, unë nuk di çfarë është dita pushim. Por, e gjithë kjo ka një sens, sepse më pëlqen. Unë çdo ditë shkoj në “Klan” me shumë dashuri. Veç një moment për Sandrin. Unë jam mirënjohës sepse më ka mundësuar gjithçka. Nuk më ka thënë JO për asgjë. Dhe nuk ka gjë më të bukur se sa ti të realizosh në jetën tënde atë të cilën ti do dhe beson. Ma ka mundësuar Sandri, jemi një staf i madh me të cilët unë tashmë jetoj dhe ndajmë të njëjtin pasion për televizionin.

-Aleksandër Frangaj: Investimi në infrastrukturë, kur them studio, skenografi, ndriçim, është shoqëruar vazhdimisht nga ana ime me thithjen e më të mirëve në treg. Por, ishte investimi që i solli ata këtu. Se Vera Grabocka me Alketa Vejsiun nuk do të vinin në Tv Klan nëse nuk do të kisha këto studio që kam, nëse nuk do të kishim atë mundësi dhe atë infrastrukturë që ofronte “Klani” me skenograf italian, me drejtor fotografie italian, me studio të mëdha, me infrastrukturë të mëdha, me shumë efekte, me të gjitha teknikat që një televizion në Itali i ka; ato i gjetën këtu. Pra, ikën nga mediat e tjera ku ishin dhe erdhën në “Klan”. Sigurisht baza ka qenë gjithmonë emisioni “Opinion” i Blendit që ditën e parë që erdhi e deri sot që flasim ka qenë absolut në llojin e tij në audiencë. Por dhe programe të tjera, qoftë gazetarët me përvojë si Shkullaku dhe Andi Bejtja dhe Andi Bushati e shumë të tjerë, Arjan Çani me programin e tij të suksesshëm, Arditi po ashtu, Aldo Morning në mëngjes, erdhi Rudina Magjistari me programin e pasdites dhe kohët e fundit u pasuruam pasi u bë vërtetë një vatër e më të mirëve. U shtuam edhe me Ermal Mamaqin, edhe ai një personazh i njohur, shumë i njohur i ekranit dhe disa projekte të reja që kemi. Një program të madh që kemi në dorë, Ferma ose “The Farm”, që fillon në pranverën e vitit të ardhshëm.

Aleksandër Frangaj: Dominonte në opinion që “Top-Channel” është teknologjia e re, dixhitale dhe propaganda tyre kishte bërë efekt. Atëherë thashë duhet të hedh një hap tjetër, përveç pjesës programore. Edhe tek pjesa teknike. Ata ishin në teknologji dixhitale. Vendosa të hedh një hap më përpara tyre, shumë përpara tyre, për të kaluar transmetimet tërësisht në HD. Shumë shpejt nga vendimi, “Klani” transformoi tërësisht teknologjinë, pra gjithçka ishte investuar në rreth 15 vjet, u hodhën në plehra dhe gjithçka filloi që nga studiot qëndrore, studiot e prodhimit, montazhet t’i rinovojmë dhe t’i kthejmë në aparaturë me teknologjinë e re HD. Pra, ishim i pari televizion që e hodhëm këtë hap dhe e realizuam gjithë ndryshimin e infrastrukturës, por jo vetëm të prodhimit në HD. Hapi i dytë dhe më i fortë ishte instalimi i të gjithë rrjetit të transmetimit në Shqipëri, që nga Shkodra e deri në Sarandë, dhe i transmetimit në HD.

-Aleksandër Frangaj: Kaluan jo pak vite që nuk ishim televizioni udhëheqës, i pari, por të paktën ka rreth 4 vite që jemi pastër televizioni më i ndjekur. Nuk di ta them, a krejtësisht për meritë tonën apo edhe për rënie apo për paaftësi të të tjerëve. Nuk e them dot, por realisht në të gjithë kompanitë që bëjnë matje audience, në të gjitha sondazhet e bëra, sot jemi televizioni më i ndjekur.

-Remzi Lani, drejtor i Institutit të Medias: Klani si burim informacioni, Klani si forum i debatit demokratik, Klani si institucion i kulturës mendoj se e bën televizionin Klan një ndërmarrje shumë të suksesshme dhe një mision të plotësuar.

-Mark Marku, pedagog gazetarie: Mendoj që ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën e publikut, sepse dihet që televizioni si media interferon fort në atë që quhet agjenda individuale e qytetarit.

-Julien Roche, biznesmen: Është një televizion që u nis nga zero dhe 20 vite më pas, sot është një nga televizionet e para kombëtare që transmeton edhe përtej Europës. Emisioni që preferoj e që sipas mendimit tim është në krye të të gjitha emisioneve të të gjitha televizioneve është “Opinioni” i Blendi Fevziut, që sipas mendimit tim është aq i mirë sa vazhdon prej 20 vitesh. Është diçka tepër e rrallë edhe për vende të tjera që një emision televiziv të zgjasë kaq shumë.

-Sali Berisha, ish-Kryeministër: Ruaj një vlerësim qartësisht pozitiv për kontributin e kësaj media, e cila falë talentit të ekipit, drejtimit të aftë, të zotë, është shndërruar në median lider mendoj unë në Shqipëri dhe më gjërë në botën shqiptare.

-Fatos Nano, ish-Kryeministër: Padyshim ka shërbyer dhe si një shkollë e formimit të gazetarëve, si një platformë e  lëshimit dhe përsosjes së teknologjisë së re të transmetimit audio dhe video. Dhe natyrisht si një institucion pa të cilin, siç thotë gjyshet plas po deshe, pa të cilin askush nuk bën dot.

-Sali Berisha: Klani edhe mbeti edhe s’mbeti Klan.

-Fatos Nano: Shqetësimi që lindi bashkë me Klanin, si do të ishte Klan dhe pastaj nisën pyetjet Klani i kujt (?), kundër kujt (?), besoj se ai u vërtetua. Sepse në një mënyrë ose një tjetër edhe Klani vet, ai Klan që mendohej, është i detyruar t’u shërbejë të gjithëve.

-Armand Shkullaku: Klani e ndjeu të nevojshëm edhe të zgjerohet. E ndjeu të nevojshëm në momentin kur pa, ne kishim bërë disa transmetime në Kosovë, e njëjta dhe në Maqedoni apo dhe vende të tjera, dhe u pa që kishte një impakt që na befasoi dhe ne vet. Nuk e prisnim që Klani të kishte atë njohje, atë popullaritet, po marr rastin e Kosovës.

-Aleksandër Frangaj: Dhe e mora me shumë dëshirë për të mbuluar dhe territorin e Kosovës. Fillimisht me sinjal të Klanit dhe më vonë, pasi edhe në Kosovë lindën mediat e tyre, atëherë e pashë të udhës që në Kosovë duhet të flasësh me gjuhën e tyre, për problematikën e tyre, për jetën e përditshme të tyre se ndoshta sinjali i Klanit nga Tirana dhe vetëm problematika e Shqipërisë atje nuk do të kishte më kuriozitetin e atyre televizioneve që atje kishin lindur tashmë dhe ishin rritur.

-Armand Shkullaku: Dhe unë kam ikur në verë të 2008-ës në Prishtinë kur s’kishte asnjë gjë. Bashkë me Baton Haxhiun morëm përsipër që ta ndërtonim televizionin. Televizioni filloi transmetimet në Shkurt 2009, ka qenë përvjetori i Pavarësisë së Kosovës. Krijuam një ekip, kryesisht të ri, mosha mesatare ka qenë 24-25 vjeç dhe me ato vështirësitë e fillimit, na u deshën 6-7 muaj që ne përgatitëm projektin pastaj startuam. Kuptohet, çdo fillim është i vështirë, por mendoj që ja dolëm që për një vit Klan Kosova të bëhej një nga televizionet më të shikueshme, në mos më i shikuari që vazhdon edhe sot që ne po flasim.

-Aleksandër Frangaj: Vendosa të themeloj, të ndërtoj një televizion tërësisht informativ me dëshirën dhe për të mbuluar ngjarjet e aktualitetit dhe të politikës më mirë dhe më shumë, por dhe për ta çliruar Klanin nga ngarkesat e tepërta me karakter të transmetimit live, me evente politike. Shumë shpejt u ndërtua dhe hyri në treg shumë shpejt. Edhe aty po e njëjta filozofi, u morën gazetarët më të mirë, prezantuesit më të mirë.

-Aleksandër Frangaj: Më lindi si ide për të patur një kanal të dytë, që është Klan Plusi, një kanal të dytë për të mos konkurruar Klanin, por të jetë një alternativë e Klanit. Që do të thotë, nëse në fash-oraret që dominon nga politika në Klan ose në kohën e programit Opinion kur jo të gjithë qytetarët apo të gjithë shikuesit janë preferues të debatit, të kenë një alternativë. Dhe këtë alternativë mos ta kërkojë te kanale të tjera televizive, por ta kenë po prapë brenda grupit.

/tvklan.al

ABC News 

Përgatiti Ferdinand Dervishi

ABC Story