Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ka dhënë shenja të një tërheqje nga lufta në Gaza edhe pas vrasjes se liderit të Hamasit, Yahya Sinwar. “I kemi larë hesapet me të. Më e keqja ka kaluar, por detyra para nesh është se lufta nuk ka përfunduar ende”, tha Netanyahu në një deklaratë
Për banorët në Liban vrasja e Sinwar nuk do të ndryshojë asgjë.
“Ata vranë Sayyed Hassan Nasrallah, vranë Jahya Sinwar, vranë udhëheqës të tjerë, si Ismail Haniyeh dhe shumë të tjerë. Izraeli nuk ndalet. Shpresojmë që lufta të ndalet”.
Udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar, u vra disa çaste pasi bëri një gabim sipas Izraelit. Një video me dron tregon minutat e fundit të 61-vjeçarit dhe gabimi që bëri organizatori i 7 tetorit ishte se tentoi të largohej nga tuneli ku ai ishte fshehur. Ai braktisi tunelin dhe hyri në një ndërtesë apartamentesh.
Ushtria izraelite bën të ditur se udhëheqësi i Hamasit hodhi një shkop në një dron izraelit i cili rezultoi të ishte fatal për të pasi menjëherë pas kësaj ai mbeti i vrarë. Komentet e Netanyahu për vazhdimin e luftës ishin në kundërshtim me qëndrimet e presidentit amerikan Joe Biden. Ky i fundit tha se vrasja e Sinwar rrit shanset për armëpushim. Nga ana tjetër grupi militant libanez Hezbollah është zotuar të përshkallëzojë luftimet kundër Izraelit.
Ndërkaq në Liban, banorët e më shumë se 20 fshatrave në jug janë urdhëruar të evakuohen nga forcat izraelite si pasojë e sulmeve. Libani për herë të parë ngriti akuza ndaj Iranit për ndërhyrje në punët e tij pasi një politikan në Teheran ofroi të vepronte si negociator midis Hezbollahut dhe Izraelit.
Klan News