Ardhja e sitës së dimrit do të sjellë me vete dhe viroza të shumta të gripit, ndaj mjekët pediatër paralajmërojnë se vaksinimi i fëmijëve është mëse i domosdoshëm. Sipas tyre doza e vaksinës duhet të merret në bazë të moshës së fëmijës. Ndërsa paralajmërojnë se vaksina nuk duhet bërë në qoftë se pacienti që vuan nga sëmundje kronike, po merr medikamente për simptoma akute.
Evda Vevecka: “Rekomandimet ndryshojnë në fëmijë që vaksinohen për herë të parë dhe që janë nën moshën 9 vjeç që duhet të bëjnë 2 doza me një interval kohor 1 mujor në mes dhe fëmijët e vegjël nën 3 vjeç doza do të jetë gjysma e dozës. Vaksina në fëmijët që janë me sëmundje respiratore kronike është në mënyrë të veçantë e indikuar, sigurisht momenti i bërjes së vaksinës duhet të jetë në një periudhë të qetë, kur fëmija të jetë pa simptoma akute.”
Paralajmërimet se gripi i këtij viti mund të prekë një numër të konsiderueshëm personash ka bërë që drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza të ngrejë komisione të posaçme për të administruar një pandemi të mundshme.
Gjeorgjina Kuli: “Kemi krijuar disa komisione që të realizojmë një situatë emergjente në qoftë se në muajt e dimrit ët sivjetshëm ne do të kemi pikërisht shfaqjen e kësaj pandemie. Nuk është e parashikueshme, por nga ndryshime që pëson virusi nga viti në vit, pritet prej disa vitesh.”
Ndërkaq për fëmijë me sëmundje kronike respiratore si dhe ato të prekur nga AIDS-i janë dhuruar 252 doza vaksina falas nga një kompani farmaceutike./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami
Operator: Petrit Xhaferri