Greqia ka konfirmuar rastin e parë në vend me virusin e quajtur metapneumovirus (HMPV). Virusi ka prekur një 71-vjeçar në Selanik. “Greek City Times” shkruan se vajza e të moshuarit ishte kthyer së fundmi nga një udhëtim në Kinë duke ngritur shqetësime për transmetimin e mundshëm.

Vetëm disa ditë pas kthimit të saj, 71-vjeçari nisi të kishte simptomat e virusit dhe kërkoi kujdes mjekësor në një klinikë private, ku u shtrua më 3 Janar. Infektimi me këtë virus u zbulua pas bërjes së testit, i cili rezultoi pozitiv të hënën.

Para diagnozës, pacienti ndante një dhomë me dy persona të tjerë. Pas konfirmimit, ai është vendosur menjëherë në izolim dhe kanë nisur procedurat e gjurmimit të kontaktit. Raportohet se gjendja e pacientit është përkeqësuar të martën.

Ndërkohë, ISHP thotë se në Shqipëri nuk ka asnjë rast deri më tani të konfirmuar në laborator me virusin HMPV. Në 95 % të rasteve, metapneumovirusi i njeriut, HMPV i ngjan shenjave të rrufës.

Më të prekurit janë fëmijët nën 6 vjeç dhe të moshuarit. Specialistët thonë se nuk ka vend për një pandemi pasi virusi ka qarkulluar prej vitesh në popullatë./tvklan.al