Kryeministri Edi Rama ishte në Athinë këtë të diel ku mori pjesë në Panairin e Punës. Ai theksoi se 120 kompani të ndryshme ofruan për shqiptarët në kryeqytetin grek vende pune dhe paga më të mira se sa pagat që fitohen për të njëjtat vende pune në Greqi.
“Në fakt në sektorin e turizmit dhe para se të hyja këtu po flisja me dikë që punon këtu, sanitare në një hotel ku për 21 dhoma që kishte në përkujdesje merrte 850 euro, ndërkohë një sanitare për 6 dhoma në bregdetin e Shqipërisë merr 950 Euro”, tha Rama.
Sipas Ramës, sot me krenari mund të themi që në Shqipëri kemi një treg pune dhe sektorë që janë konkurrues me Greqinë. Ai i bëri thirrje shqiptarëve atje që ta provojnë të punojnë për këto kompani në Shqipëri.
“Jemi në kushtet ku me krenari mund të themi që në Shqipëri kemi një treg pune dhe sektorë që janë konkurrues me Greqinë. Nuk ka pagë minimale nën 1500 Euro në sektorin e teknologjisë. Nuk ka pagë nën 1200 euro për manovratorët, nuk ka pagë nën 1200 euro për shoferë dhe për shoferë të mjeteve të rënda shkon mbi 2000 euro. Keni përfaqësues kompanish, kanë kontrata gati për ti marrë, nënshkruar dhe Greqinë këtu e keni, po provojeni edhe një herë ndryshe them unë”, tha Rama./tvklan.al