Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, reagon një ditë pas publikimit në Televizionin Klan të dokumentit të Komisionit për Përcaktimin e Konfliktit të Interesit në Kroaci, i cili ka gjetur shkelje në deklarimin e saj në përfundim të detyrës si Këshilltare për Çështjet e Jashtme të Presidentit të vendit.

Në përgjigje të kërkesës së bërë nga Televizioni Klan, për një koment lidhur me këtë çështje, Zyra e Shtypit e Delegacionit të BE në Tiranë thotë se, Vlahutin u largua nga detyra më 30 Shtator 2014 dhe nga Kroacia një muaj më pas, pasi kishte dorëzuar formularin e deklarimit, sipas të gjithë parametrave.

Në përgjigjen e saj, Vlahutin thekson se gjatë kohës që ajo ishte në Tiranë, formulari i deklarimit në Kroaci kishte ndryshuar dhe për këtë është informuar me vonesë.

Vlahutin thotë se në Janar 2016 gjeti në postën e saj një letër tjetër dhe u lidh menjëherë me Komisionin, duke kërkuar mundësinë e plotësimit të pjesëve të reja të formularit, por kjo nuk ishte e mundur nga pikëpamja procedurale, për arsye se regjistrat në Kroaci janë aktivë vetëm për 12 muaj dhe se ajo nuk ishte më zyrtare në këtë vend.

Në përgjigjen e saj, Vlahutin thotë se zyrtarët kroatë, në kategorinë e Ambasadorëve u nënshtrohen një verifikimi sigurie të hollësishëm sekret nga NATO dhe BE, i cili përfshin një sasi edhe më të hollësishme dhe tërësore informacioni se sa deklarimi, përfshirë të gjitha informacionet mbi transaksionet financiare dhe pasurinë.

Në raportin që Televizioni Klan disponon thuhet se, Vlahutin nuk deklaroi pagën neto dhe bruto, nuk tregoi adresat e sakta të pasurive të paluajshme dhe nuk tregoi emrin e kreditorit të një kredie të marrë për strehim, pas përfundimit të detyrës si Këshilltare e Presidentit të Kroacisë për Punët e Jashtme. Raporti përmend edhe faktin që ndaj saj nuk mund të merren sanksione, për shkak se ajo nuk figuronte prej një viti zyrtare në këtë vend.

Tv Klan