Vlera e shtëpisë që çdokush ka deklaruar në formularin e regjistrimit të adresave të hartuar nga OSHEE, do të shërbejë si referencë për taksimin e pasurisë, sipas modelit të ri, në 1 Prill.

Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, sqaron se 65% e të dhënave të pasurive në Shqipëri do të vijnë nga ky formular, ndërsa për ata që nuk kanë deklaruar, vlera do të bazohet te kontrata e shitjes apo çmimi fiskal i zonës kadastrale. Agjenti tatimor i cili do të mbledhë taksën, do të jetë Drejtoria e Ujësjellësit.

Nga taksa do të ketë edhe përjashtime. Pensionistët kryefamiljarë, ata që përfitojnë nga ndihma ekonomike dhe personat që jetojnë në banesat sociale nuk do e paguajnë këtë taksë. Lera thotë se nuk nevojë për asnjë aplikim nga ana e këtyre shtresave, pasi të dhënat janë në njësitë vendore.

 

Qeveria ka nisur punën edhe për ndërtimin e kadastrës fiskale e cila do të shërbejë më vonë si sistemi qendror i administrimit të kësaj takse. Pas disa vitesh edhe tokat bujqësore do t’i nënshtrohen modelit të taksimit në bazë të vlerës.

Tv Klan