Votimi me postë është opsioni më i mundshëm për të mundësuar votën e emigrantëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky rezultat doli nga diskutimet e grupit të punës për reformën zgjedhore, ku mori pjesë edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi. Sipas këtij të fundit, procesi do duhet të administrohet nga KQZ.
Ilirjan Celibashi: Të jetë institucioni i KQZ ai i cili administron kërkesat e atyre votuesve që duan të votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pra të gjithë këtë proces ta administrojë nga fillimi deri në fund institucioni i KQZ.
PD ndonëse pranon mundësinë e votimit me postë, i druhet një ndërhyrje nga qeveria në këtë proces. Për këtë arsye propozon një postë ndërkombëtare.
Oerd Bylykbashi: Kërkesa jonë është që të jetë një mekanizëm votimi me postë nëse do të aplikohet kjo, i besueshëm për palët, nëpërmjet një poste ndërkombëtare të mirënjohur. Ka plot të tilla. Ka shtete që përdorin posta të këtij lloji.
Ndonëse sheh angazhim nga palët, Celibashi e sheh të pamundur realizimin e këtij procesi në rast se ndryshimet në kodin zgjedhor nuk bëhen brenda këtij sesioni politik.
Ilirjan Celibashi: Çdo ditë që kalon e vë seriozisht në rrezik realizimin e votës së diasporës dhe nëse ne nuk do t’i kemi rregullat për votimin nga jashtë brenda këtij sesioni thuajse me siguri absolute votimi nga jashtë nuk mund të realizohet në zgjedhjet e vitit 2025.
Sa i përket shtrirjes në të gjithë territorin të votimit dhe numërimit elektronik, kryekomisioneri shprehet skeptik për shkak të kostos së lartë financiare dhe burimeve njerëzore.
Ilirjan Celibashi: Ne kemi rekomanduar si një fazë të ndërmjetme të shtrihet në 5, 6 apo 7 qarqet kryesore.
Në të njëjtën linjë shprehet dhe opozita, me pretendimin se shton mundësinë e ndërhyrjes nga qeveria në këtë proces.
Klan News