Me 65 vota “pro” dhe 25 “kundër”, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kaloi propozimi për zgjedhjen e pesë ministrave të rinj në qeveri. Kryeministri Zaev në fjalën e tij përfundimtare theksoi se në kushte kur vendi deri në fund të vitit pret hyrje në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në, duhet të maksimalizohen efektet e reformave.
“Në një situatë të këtillë, maksimalisht duhet të përkushtohemi për reforma të përgjithshme në vend, me impakt maksimal, për të cilët besoj se pjesa më e madhe e reformave janë në përgjegjësinë tonë personale e individuale duke filluar nga Kryeministri, ministrat, por edhe qytetarëve, për ta rritur kapacitetin e përgjegjësisë, ndershmërisë. Padyshim se kjo është periudha që nuk duhet ta lëshojmë”.
Debati dyditor për riformatimin qeveritar në Kuvend, kaloi në debate të ashpra mes opozitës dhe pozitës, nëse riformatimi është sa për sy e faqe apo thelbësor.
“Për shkak të paaftësisë vendosët të sakrifikoni një pjesë të vogël të bashkëpunëtorëve tuaj të pasuksesshëm, por pjesa më e madhe që dëshmuan se nuk kanë kapacitete minimale për të udhëhequr institucionet, mbetën në pozitat e tyre që t’i shkaktojnë edhe më tej dëme shtetit”.
Për ministra të rinj janë zgjedhur Naser Nuredini, Ministër i Ambientit Jetësorë, Goran Milevski, Ministër i Pushtetit Lokal, Sadulla Duraku, Ministër për Sistem Politik, Trajan Dimkovski, Ministër i Bujqësisë dhe Hysni Ismaili, Ministër i Kulturës. Pozita e Ministrit të Financave mbetet e zbrazët, prej se Kryeministri Zoran Zaev tërhoqi kandidaturën, por do ta udhëheqë këtë dikaster deri në zgjedhjen e Ministrit të ri. Pas votimit, ministrat e sapoemëruar dhanë deklaratë solemne.
Tv Klan