Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit politikë, duke kufizuar vetëm tek trashëgimtarët e parë dhënien e dëmshpërblimit.
Në këtë seancë mungonin sërish deputetet demokratë, edhe pse ata janë shprehur kundër nismës së qeverisë për të shkurtuar fondet që jepen për këtë kategori. Por Ministri i Financave, Arben Ahmetaj përdori një logjikë tjetër për të shpjeguar ndryshimin e skemës së përfituesve: brezi i ri nuk duhet të paguajë shuma marramendëse që arrijnë deri në 700 milion dollarë për ata që nuk kanë vuajtur pasojat e dënimit politik.
Në brezin e trashëgimtarëve të parë përfshihen prindërit e personit që ka statusin e të dënuarit politik, bashkëshorti, fëmijët, motrat dhe vëllezërit dhe nipi ose mbesa. Në gjykimin e tij personal, ministri Ahmetaj tha se edhe një pjesë e këtyre trashëgimtarëve nuk duhet të përfitonin dëmshpërblimin.
Përveç reduktimit të numrit të përfituesve që nuk kanë lidhje me brezin e trashëgimtarëve të parë, ligji përshpejton shlyerjen e pagesave për të dënuarit politik që janë ende gjallë.
Tv Klan