Një person i vetëm dyshohet të ketë marrë pjesë në ekzekutimin e 33-vjeçarit Ramazan Mataj i cili mëngjesin e së dielës u gjet i vrarë në automjetin e tij tip Mercedes-Benz në fshatin Dragoç të Shkodrës.

Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria nuk e ka përcaktuar nëse vrasësi ka lëvizur në këmbë apo me ndonjë automjet, por dyshimet janë se ai e ka pritur viktimën në atë zonë, ku më pas e ekzekutoi me breshëri plumbash.

Për lëvizjet e 33-vjeçarit, Mataj hetuesit besojnë se vrasësi ka patur informacion të plotë, ndaj verifikime po kryhen nëse autori të jetë ndihmuar nga persona të tjerë.

Nga ana tjetër policia ka çuar për ekzaminim 2 celularët e viktimës të gjetur në automjetin e tij, për të parë kontaktet e tij të fundit para se të ekzekutohej mbrëmjen e së shtunës.

Për zbardhjen e ngjarjes, grupi hetimor po verifikon disa pista, mes të cilave atë të ndonjë konflikti të kohëve të fundit.

Në analizë nga policia dhe prokuroria e Shkodrës është marrë dhe aktiviteti i Ramazan Matajt jashtë vendit, ndonëse deri më tani nuk ka të dhëna për veprimtari të jashtëligjshme.

Tv Klan