Vëllezërit Arjon Hasaj dhe Klisman Hasaj do të mbeten në qeli, pasi gjykata e Shkodrës caktoi këtë të premte për ta masën e sigurisë “arrest në burg”. Ata akuzohen si autorë te vrasjes se 33-vjeçarit Ramazan Mataj, në fshatin Dragoç të Postribës me 4 Janar.
Dy vëllezërit nuk bënë asnjë deklaratë gjatë seancës gjyqësore që zgjati rreth 40 minuta. Avokati i tyre mbrojtës kërkoi një masë më të butë për Klisman Hasaj, i cili këmbëngul se nuk ka pasur dijeni për krimin e kryer nga i vëllai. Megjithatë gjykata nuk e mori parasysh kërkesën.
Prokuroria sqaroi se nga akt-ekspertimi balistik rezulton se është e njejta armë e gjetur në oborrin e shtëpisë të të akuzuarve me të cilën është qëlluar për vdekje 33-vjeçari. Gjithashtu janë zbërthyer edhe telefonat e autorëve dhe viktimës për sqarimin e rrethanave.
Në seancë nuk ishte i pranishëm asnjë nga familjarët e autorëve të cilët kanë shprehur frikë për ndonjë hakmarrje. Arjon Hasaj u arrestua 2 ditë pas ngjarjes dhe pranoi krimin para hetuesve. Ai u shpreh se e ndërmori aktin për shkak të lidhjes që viktima kishte me motrën e tij duke i shkaktuar dy herë divorcin.
Tv Klan