Ka ndërrruar jetë Anila Ndoka, nëna e 3 fëmijëve që u qëllua me plumb në kokë nga partneri i saj Kolë Manaj. Ky i fundit vrau veten me armë zjarri, ndërsa 44 vjeçarja ka qenë në spital prej 6 ditësh, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Mark Lula” në Shkodër, paraditen e 18 Shkurtit 2025. Ishin zënkat e njëpasnjëshme të çiftit, që përshkallëzuan në aktin kriminal.
Anila Ndoka është nënë e 3 fëmijëve nga martesa e mëparshme, përkatësisht 20, 18 dhe 9 vjeç, ndërsa bashkëjetesën me 34 vjeçarin e kishte nisur 5 vite më parë.
Të paktën siç është raportuar deri më tani, e ndjera vendosi t’i japë fund bashkëjetesës me partnerin 10 vite më të ri. Ishte pikërisht ky vendim që u pasua me një “mospranim” nga ana e Kolë Manajt, i cili para ngjarjes tragjike, inskenoi vetëvrasjen e tij. Pas këtyre episodeve, ai kërkoi një takim me Anilën për t’u sqaruar. Takim që përfundoi me shkrehjen dy herë të armës brenda automjetit të 44 vjeçares, disa metra larg vendit ku ajo punonte si punonjëse sociale në një qendër komunitare të Bashkisë Shkodër.
/tvklan.al