Protesta masive po zhvillohen në Valletta, kryeqytetin e Maltës, ku kërkohet drejtësi për gazetaren Daphne Caruana Galizia, që u vra në vitin 2017. Protestuesit u mblodhën jashtë Parlamentit duke mbajtur pankarta me fotografinë e gazetares së ndjerë. Ata kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit.

Një biznesmen, i cili ka lidhje të dyshimta me zyrtarë të qeverisë, është arrestuar nga policia lidhur me hetimet për vrasjen e gazetares. Por deputetët e partisë së Kryeministrit Joseph Muscat i dhanë mbështetje unanime këtij të fundit për të qëndruar në detyrë. Ministri i Ekonomisë, Chris Cardona, i cili ka dorëheqjen të martën, ka ndërruar mendje dhe është rikthyer sërish në detyrë.

Ai u mor në pyetje nga policia lidhur me hetimet për vrasjen, por ka mohuar çdo përfshirje. Burime për agjencinë e lajmeve Reuters thonë se ka spekulime që Kryeministri Muscat të japë dorëheqjen dhe të qëndrojë në detyrë përkohësisht deri në Janar kur të mbahen zgjedhjet e reja.

Protestat në Maltë shpërthyen këtë fundjavë kur u arrestua biznesmeni Yorgen Fenech, i cili akuzohet për bashkëpunim në vrasje, akuzë të cilën nuk e pranon. Emri i biznesmenit Fenech ka dalë edhe në skandalin e “Panama Papers” si i përfshirë në biznese offshore. Kishte pretendime se kompania e biznesmenit planifikonte të bënte pagesa sekrete për ministrin maltez të Turizmit.

Familjarët e gazetares së vrarë thonë se Kryeministri është thëllësisht i përfshirë dhe duhet të japë dorëheqjen sepse gjatë dy viteve të fundit nuk arriti që të pastrojë politikën në Maltë nga politikanët e inkriminuar apo me lidhje të dyshimta. Ata thonë se për sa kohë që do të jetë në detyrë, nuk do të mund të realizohet asnjë hetim i thelluar për vrasjen e gazetares. /tvklan.al