Një punëtor shqiptar në Maltë ka humbur jetën pas shembjes së çatisë në një ndërtesë.

Ngjarja ndodhi paraditen e sotme në Sliema. Siç raportojnë mediat malteze, rrënojat e çatisë zunë poshtë dy punëtorë shqiptarë që po kryenin punime në ndërtesë.

Njëri prej tyre arriti të dilte vetë dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërsa shqiptari tjetër u nxorr nga rrënojat më vonë me ndihmën e ekipeve të shpëtimit. Fatkeqësisht ai kishte humbur jetën.

Viktima është 51 vjeç, kurse i plagosuri një 31-vjeçar. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur. Raportohet se dy shqiptarët jetonin në qytetin Zebbug.

Autoriteti i Ndërtimit në Maltë deklaroi pas ngjarjes së rëndë se nga hetimet paraprake rezulton që në objektin ku kryheshin punime nuk ishte marrë leje dhe nuk ishin dorëzuar dokumentet e kërkuara sipas ligjit. Për këtë arsye, leja për punime nuk ishte nxjerrë, ndërsa Autoriteti i Ndërtimit nuk kishte dijeni për punimet që kryheshin.

Policia e Maltës vijon hetimet për këtë rast.

/tvklan.al