Përpara shkollës “Fan Noli” në Tiranë, grupi i prindërve organizatorë të protestës pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, ripërsëritën kërkesat drejtuar qeverisë për një shkollim dinjitoz për të gjithë dhe kërkuan sërish dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.

“Të tronditur dhe të pikëlluar për vrasjen e Martinit, artikuluam disa kërkesa për institucionet përgjegjëse, kërkuam dorëheqjen e ministres së arsimit. Ta paktën do të krijonte precedentin e të mbajturit përgjegjësi. Dorëheqja kërkon integritet. Kjo Ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë. Për këtë dhe pikat e tjera, do të jemi të hënën para Ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë”.

Organizatorët dhe prindërit nënvizuan se nëse Ministria e Arsimit do të vijojë të tregohet neglizhente, nuk përjashtohet as mundësia e bojkotit të mësimit në shkolla. Protesta e radhës do të jetë të hënën pasdite.

Klan News