Ogerta Manastirliu: Kemi vendosur bllokimin e platformës “TikTok”.
Pas konsultimeve publike me këshillat e prindërve, qeveria ka vendosur që duke nisur nga muaji Shkurt dhe për 1 vit të plotë, platforma kineze “TikTok” të mbyllet në territorin e Shqipërisë.
Edi Rama: Do të na duhen 6 deri në 8 javë. Për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht, “TikTok” në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Gjatë atij viti, do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vetë Tik Tok. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, presa, shpata, revole, euro, dollarë nuk sheh në TikTokun e Kinës. Ndërsa në TikTokun jashtë Kinës vetëm llum dhe vetëm qenëri. Çfarë na duhet ne kjo?
Kjo është vetëm një nga masat që do të ndërmerren si pjesë e planit të veprimit për rritjen e sigurisë në shkolla që Ministria e Arsimit ka hartuar e nxitur sikurse dhe vetë Kryeministri pranon nga tragjedia e vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”.
Ogerta Manastirliu: Duke arritur në 500 oficerë sigurie, brenda 2 vitesh. Jemi duke studiuar dhe ngritjen e një agjencie të posaçme për sigurinë në ombrellën e Ministrisë së Brendshme dhe masa shtesë për sistemin e monitorimit të celularëve.
Reagimi publik që shoqëroi vrasjen e 14-vjeçarit, u shoqërua dhe me një kërkesë për dorëheqjen e ministres Manastirliu, por Kryeministri jo vetëm që nuk e sheh si opsion këtë hap, por i jep mbështetje publike të pakushtëzuar Ministres së Arsimit.
Edi Rama: Ka jo vetëm të gjithë mbështetjen time, por unë kam bindjen se ashtu sikundër ka luajtur një rol të pamohueshëm në transformimin e sistemit tonë shëndetësor, do të luajë një rol për të cilin të gjithë ne do të jemi falenderuar në transformimin e sistemit arsimor.
Përveç gjithë arritjeve në arsim që Rama thotë se janë shënuar këto 12 vite krahasuar me qeverisjen e mëparshme që çoi sipas tij arsimin në greminë, Kryeministri e gjen përgjegjësinë dhe tek mediat dhe politika për promovimin e dhunës dhe çedukimit masiv që më pas promovohet në mediat sociale. Këtu sjell si shembull seancën më të fundit në Parlament.
Edi Rama: Fëmijët tanë, adoleshentët shikojnë një trim apo një tufë me trima që nuk lënë të tjerët që të flasin, natyrisht që ju pëlqejnë këto trima më shumë se ata që flasin dhe natyrisht që duan t’i kopjojnë këta trima kur del mësuesi atje përpara. Ky është efekti sepse “TikTok-u” në fund të fundit promovon çfarë gjej në rrugët e politikës dhe të mediave tona.
Tv Klan